Blerim Latifi: Afganistani dështoi për t’u bërë shtet modern e ligjor, të njejtën gjë e pret Serbia për Kosovën

  • E.K /
  • 16 August 2021 - 08:08
 Blerim Latifi: Afganistani dështoi për t’u bërë shtet modern e ligjor, të njejtën gjë e pret Serbia për Kosovën

Korrupsioni, zhvatja dhe nepotizmi mund ta sjellin Kosovën në gjendjen aktuale të Afghanistanit. Kështu po konsideron profesori universitar, Blerim Latifi, i cili thotë se këto tri shtylla ia mundësuan talibanëve ta ri-marrin shtetin afgan nën kontroll.

Njohësi i çështjeve politike këto deklarime i ka bërë në llogarinë e tij zyrtare në ‘Facebook’, teksa ka arsyetuar edhe largimin e forcave ushtarake amerikane nga Afghanistani.

“Aleati më i madh i talebanëve ishte korrupsioni i shfrenuar i institucioneve të derisotshme afgane. E njëjta rregull vlenë edhe në Kosovë: edhe këtu aleati më i madh i Serbisë është mentaliteti i korrupsionit, i zhvatjes dhe i fiseve në institucionet e shtetit të Kosovës”, ka deklaruar ai.

I njëjti ka thënë se Serbia vazhdon të investojë për tentimin e zhbërjes së shtetit të Kosovës pandërprerë.

Latifi tekstit ia ka bashkëngjitur edhe fotografinë e talibanëve nga zyra e ish-presidentit afgan, Ashfar Ghani.

Postimi i plotë i Blerim Latifit:

Tërheqja e amerikanëve nga Afganistani dhe rimarrja e shpejtë dhe e lehtë e tij prej talebanëve, nxjerr në dukje një fakt bazik: dështimin e Afganistanit për t’u bërë shtet modern e ligjor.

Investimet miliardëshe në të gjitha fushat nuk i kanë dhënë efektet e tyre përballë mungesës së vullnetit të duhur për të ecur përpara dhe korrupsionit sistematik të elitave drejtuese vendore. Dhe siç ndodhë rëndom në histori e kaluara rikthehet gjithmonë kur planet për të ardhmen dështojnë.

Ka 20 vite që ne e injorojmë këtë leksion, ndërsa Serbia vazhdon të investojë pandërpre në strategjitë e dështimit të shtetndërtimit të Kosovës. Sepse ajo e di se vetëm duke dështuar ky shtetndërtim, rikthimi i saj në Kosovë mund të vihet në shqyrtim.

Aleati më i madh i talebanëve ishte korrupsioni i shfrenuar i institucioneve të derisotshme afgane. E njëjta rregull vlenë edhe në Kosovë: edhe këtu aleati më i madh i Serbisë është mentaliteti i korrupsionit, i zhvatjes dhe i fiseve në institucionet e shtetit të Kosovës.

Amerikanët të mbrojnë nga agresioni i jashtëm, por kur t’i zgjedh të bësh vetëvrasje me duart e tua as Amerika dhe askush tjetër nuk mund të të shpëtojnë nga vetja.

(Kosova Sot Online)