Sukses me vaksinën kundër koronavirusit në Gjermani: Nuk ka shumë refuzues

  • E.K /
  • 16 August 2021 - 08:42
 Sukses me vaksinën kundër koronavirusit në Gjermani: Nuk ka shumë refuzues

Gjermania po debaton për privilegjet që mund të krijohen për të vaksinuarit. Kjo që të inkurajohen ata që refuzojnë vaksinimin për t’u vaksinuar dhe për të arritur në Gjermani atë që quhet imunitet i tufës.

Politika dhe mediat në Gjermani diskutojnë shumë për një çështje: Si të binden personat që nuk e kanë bërë ende vaksinën, që ta bëjnë dhe të imunizohen ndaj COVID-19.A do të ndihmonte përshembull që analizat e Coronës të mos ofrohen më falas, por të bëhen me pagesë?
Kur dëgjon këtë të krijohet përshtypja se në Gjermani ka shumë refuzues të pandreqshëm vaksine. Po a është kjo e vërtetë?

Shifrat tregojnë se gota nuk është gjysmë e mbushur, por është duke u mbushur plot. Sipas të dhënave të Robert Koch Institut (RKI), deri më 12 gusht në Gjermani janë vaksinuar më shumë se 52,2 milionë vetë (62,8 përqind e popullsisë së përgjithshme), të paktën një herë kundër COVID-19.

Krejtësisht të imunizuar janë 46,6 milionë vetë (56,1 përqind). Dhe kush ka bërë deri tani një vaksinë, do e bëjë tjetrën maksimumi pas gjashtë javësh duke u futur tek ata që janë imunizuar krejtësisht.

Reklamë

Gatishmëria për vaksinim është e madhe

Duket sikur shifrat janë të ulëta: Pak më shumë se gjysma e popullsisë. Pra, shumë më pak njerëz se synimi që ka RKI, për të krijuar imunitetin e tufës, i cili kërkon të paktën që 80 përqind e popullsisë të jetë vaksinuar.

Por, për të kuptuar nëse vërtet ekziston refuzim i konsiderueshëm për vaksinimin, është e nevojshme që të kuptohen shifrat sipas grupeve të popullsisë. Dhe aty bëhet e qartë se mes të moshuarve synimi ka kohë që është arritur: 85,6 përqind e mbi gjashtëdhjetëvjeçarëve janë vaksinuar tashmë dhe 81,7 përqind kanë madje mbrojtje të plotë, thonë të dhënat e RKI.
Tek mosha nga 18 deri 59 vjeçare pjesa e atyre që janë vaksinuar është duke u rritur: 63,4 përqind janë vaksinuar një herë dhe 58,3 përqind janë vaksinuar krejtësisht. Vetëm tek fëmijët dhe të rinjtë nga 12 deri 17 vjeç shifrat janë të ulta: Vetëm 23,1 përqind e tyre kanë marrë vaksinën e parë dhe 13,7 përqind janë vaksinuar plotësisht.

Nuk ka kohë që ka dalë vaksina për të gjithë

Po të vëresh këto shifra, sheh se ka ende shumë për të bërë. Por nuk duhet harruar se ka vetëm pak muaj që vaksina është aprovuar për masën e gjerë të njerëzve në moshë pune. Në muajin maj mori fund vaksinimi me grupe prioriteti. Që prej majit lejohet që të vaksinohen edhe njerëzit që nuk bëjnë pjesë në grupet e rrezikuara nga shëndeti apo profesioni.

Për fëmijët dhe të rinjtë vaksina është aprovuar në vendet e BE-së, në fund të muajit maj, dhe duhet thënë se komisioni gjerman përgjegjës për vaksinimin këshillon që vaksina të bëhet vetëm nga ata që kanë arritur moshën madhore dhe kanë histori sëmundjesh të mëparshme. Shumë mjekë kanë qenë javët dhe muajt e fundit të rezervuar ndaj vaksinimit të fëmijëve dhe të rinjve.

Që prej fillimit të gushtit, nxitur edhe nga politika, është shtuar përkrahja e vaksinimit të fëmijëve, para fillimit të vitit shkollor.

A ka më shumë të vaksinuar se sa mendohet?

Me siguri që ekzistojnë disa shifra që nuk dalin në dritë, për numrin e njerëzve me imunitet. Nga njëra anë, këtu bëjnë pjesë ata që janë vaksinuar në vende të tjera dhe nuk janë futur tek statistikat e Gjermanisë. Nga ana tjetër, ka njerëz që janë sëmurë me COVID-19 para se të bënin vaksinën, prandaj nuk marrin dy vaksina por vetëm një. Këta futen gabimisht tek grupi i njerëzve pjesërisht të imunizuar.

Kësaj i shtohet edhe fakti që me sa duket jo të gjithë mjekët, sidomos mjekët e ndërmarrjeve, nuk kanë njoftuar edhe RKI për gjithë vaksinat e bëra. RKI publikoi më 10 gusht rezultatet e një sondazhi të zhvilluar mes 1005 të rriturve të zgjedhur në mënyrë përfaqësuese, prej të cilëve 84,5 përqind ishin vaksinuar një herë. 59 prej tyre ishin krejtësisht të vaksinuar.

Mes atyre që bëjnë pjesë në grupin e mbi 60 vjeçarëve, madje 94,3 përqind thanë se ishin vaksinuar të paktën njëherë. Kjo tregon se shifrat faktike janë rreth pesë përqind më të larta se sa shifrat e statistikave aktuale.

Për t’u përmendur janë edhe përgjigjet e dhëna për gatishmërinë e vaksinimit: 91,6 përqind e të pyeturve ishin vaksinuar ose thanë, se do të vaksinohen. Në këtë mënyrë shihet se numri i refuzuesve të vaksinës është më pak se sa dhjetë përqind.

Piku ka kaluar, por vaksinimi vazhdon

Me përparimin e vaksinimit të popullsisë kanë kaluar edhe periudhat e pikut të aksioneve të vaksinimit. Në muajin maj dhe qershor ka pasur ditë të veçanta ku mjekët kanë bërë më shumë se 1,4 milionë vaksina në Gjermani. Por gatishmëria për vaksinimin nuk është gjithnjë e konsiderueshme.

Kështu për shembull muajin e fundit (nga 11 korrik deri 11 gusht) nuk ka pasur ditë që të jenë bërë më pak se 100.000 vaksina. Në shumë prej ditëve madje edhe më shumë. Përshembull vetëm më 10 gusht u vaksinuan 412.527 vetë dhe një ditë më vonë 511.428 –pra gati një milionë vetë brenda dy ditëve. Kurba e vaksinave të bëra çdo ditë, është duke rënë për shkak të suksesit në rritje të vaksinimit.

Kur arrihet imuniteti i tufës?

Deri në mes të muajit tetor mendohet që të gjithë të jenë vaksinuar, si ata që duan dhe ata që përpiqen tani të lenë takimin për të bërë vaksinën. Sidoqoftë, vaksinat nuk mungojnë. Realist është plani, që deri në fund të muajit tetor të arrihet vaksinimi që kërkohet për të krijuar imunitetin e tufës, prej 80 përqind të popullsisë së përgjithshme./DW

(Kosova Sot Online)