Ramush Haradinaj prezanton 21 kandidatët për kryetarë komunash

  • E.K /
  • 16 August 2021 - 14:16
 Ramush Haradinaj prezanton 21 kandidatët për kryetarë komunash

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, në një konferencë për media ka prezantuar 21 kandidatët e kësaj partie për kryetarë të komunave.

Kur foli për koalicionet e mundshme, Haradinaj tha se ato do të shqyrtohen në të ardhmen dhe se nuk janë marrë vesh me asnjë parti.

“Vlera e parë është njeriu, kemi njerëzit e duhur në kohën e duhur për të qeverisur me komunat  e tyre, janë 21 kandidatë deri më tani, duke filluar nga 6 që janë duke qeverisur edhe tani të dëshmuar dhe te vlerësuar lartë. Një kandidate femër nga Drenasi. Secila komunë e meriton njeriun më të mirë. Kemi bë kujdesin maksimal”, deklaroi ai.

“Secili nga ta e ka listën e kandidatëve të dëshmuar. Vlera e dytë është oferta për zgjedhjet lokale, janë programet qeverisëse, është hartuar prej njohësve të qeverisjes dhe është e mishëruar me qytetarin, janë shumë projekte jetike për banorët. Si vlerë e tretë është mënyra e qeverisë që është e efektshme. Kjo është oferta e jonë dhe me këtë dëshmojmë seriozitet”, ka thënë Haradinaj.

“Albena është me ne, Muharremaj bashkëpunon me të vazhdimisht. Koalicionet do t’i shqyrtojmë në të ardhmen, nuk kemi ende”.

Kryetar aktual i Gjakovës njëherit edhe kandidatë i kësaj partie për këtë komunë, Adrian Gjini, tha se në komunat që ka udhëhequr AAK-ja ka pasur përparim të dukshëm.

“Për një kohë 4-vjeçare nuk mundet me qenë koincidencë me qenë të gjithë të përkushtuar dhe jashtëzakonisht efikase dhe të gjithë janë njerëz të pastër dhe kërkojnë edhe një mandat me ballë hapur”.

“Në komuna në të cilat AAK i ka udhëheq ka pasur përparim, nuk jemi perfekt, por me të vërtet pa pasur rritje në të gjitha aspektet”.

Bali Muharremaj, kryetar i Suharekës, tha se partner të vetëm e ka pasur dhe do të vazhdojë ta ketë qytetarin me të cilët sipas tij, ka qenë 24 orë për katër vjet.

“98% të premtimeve i kam realizuar, kam qenë me qytetarët 24 orë. Kam bë shumë pak, çka kem me bë në mandatin e dytë. Investimet janë rritur, Suhareka ka ndryshuar, partner i kam qytetarët edhe me opozitën kemi pasur bashkëpunim të mirë”, tha ai.

Besnik Tahiri, kandidat për kryetar të Podujevës, foli fillimisht për punën e ish-kryeministrit Haradinaj gjatë dy mandateve, sa i përket zhvillimit të komunave.

“Ky kryeministër ia ka dhënë Ligjin kryeqytetit, është ky kryeministër që i ka bartur komunave shumë prona që i kanë në shfrytëzim. Ky ia dha Ligjin për Obiliqin. Ne do të jemi partia e parë në këto zgjedhje. Ne synojmë ndryshim dhe ndryshimi i madh ka ndodhur me këta burra që kanë udhëhequr me gjashtë komuna. Ne do të jemi partia e parë për shkak të fjalëve që kemi dhënë dhe kandidaturave që kemi”, deklaroi ai.

(Kosova Sot Online)