Sot mblidhet Qeveria, pritet vendosja e masave të reja anti-COVID

  • E.K /
  • 18 August 2021 - 13:31
 Sot mblidhet Qeveria, pritet vendosja e masave të reja anti-COVID

Qeveria e Kosovës do të mblidhet sot, për të miratuar masat e reja anti-Covid, pas rritjes së numrit të rasteve pozitive me koronavirus.

Në orën 17:30, sot pritet të miratohen masat e reja anti-COVID, të cilat ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, i ka diskutuar të martën me krerët e institucioneve shëndetësore, përfaqësues të Odës së Hotelierisë së Kosovës dhe me Asociacionin e Komunave të Kosovës.

Në takimet e ministrit Vita me hisedarët në zbatimin e masave kundër COVID-19, është diskutuar që të ketë ndryshim të masave anti-COVID, për shkak të rritjes së rasteve pozitive.

Kryetari i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit, Hysen Sogojeva, të martën ka deklaruar se nga data 20 gusht, deri më 1 shtator, orari i gastronomisë do të jetë deri në orën 22:30 apo eventualisht deri në orën 23:00.

“Nga data 20 deri më 1 shtator orari i gastronomisë do të jetë deri në 22:30 ose deri në orën 23:00. Sallat e dasmave, hotelet, restorantet, qendrat tregtare dhe restorantet brenda tyre po ashtu. Maksimumi i personave të lejuar në dasma do të jetë 150.”, ka deklaruar Sogojeva.

Sogojeva tha se në dasma do të kërkohet dëshmia e vaksinës, apo testi negativ i COVID-19.

Sogojeva tha se nga data 20 gusht, klubet e natës do të mbyllen, derisa tha se nuk është përmendur kufizimi i lëvizjes së qytetarëve.

“Klubet e natës mbyllen nga data 20. Kufizimi i lëvizjes nuk është përmendur.  Ne si Odë duke e parë gjendjen, u pajtuam me këto masa deri më 1 shtator”, ka deklaruar Sogojeva.

Ndërkaq Asociacioni i Komunave të Kosovës përmes një postimi në Facebook, ka deklaruar se kryetarët e komunave kanë propozuar mbylljen e klubeve të natës, lejimin e dasmave me vetëm 150 persona me dëshmi të vaksinimit ose me test PCR negativ apo serologjik.

“Në respektim të masave do të duhet të shtohen rastet e inspektimeve nga niveli qendror dhe në bashkëpunim me inspektorët komunalë që të jenë edhe në një fushatë ndërgjegjësimi sidomos në gastronomi që të zvogëlojmë shkallën e infektimeve”, thuhet në njoftimin e AKK-së.

Po ashtu, në këtë takim është marrë vendim që qendrat e vaksinimit të punojnë edhe të shtunën.

“Ministri Vitia tha në fund se tash në Qendrat e Vaksionimit do të punohet edhe të shtuneve ndërsa sa i përket barnave esenciale kemi marrë gjitha masat por janë 200 aktivitete të prokurimit dhe nuk mund të përshpejtojmë për shkak procedurave”, thuhet në postimin e AKK-së.

(Kosova Sot Online)