Ministri Murati: në Bonot e Diasporës janë investuar 10.43 milionë euro

  • E.K /
  • 19 August 2021 - 13:31
 Ministri Murati: në Bonot e Diasporës janë investuar 10.43 milionë euro

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka deklaruar se në Bonot e Diasporës janë investuar 10.43 milionë euro.

Murati ka shkruar në Facebook se të mërkurën ka qenë dita e fundit për të investuar në Bonot e Diasporës.

“10.43 milionë euro janë investuar në Bono të Diasporës! Dje ishte data e fundit për të investuar në emetimin e parë të Bonove të Diasporës. Ky emetim u përmbyll me sukses, duke arritur shumën totale prej mbi 10 milionë euro në emetimin e parë”, ka shkruar Murati.

Murati ka bërë të ditur se mjetet financiare nga Bonot e Diasporës do të përdoren për të mbështetur prodhuesit vendorë në kuadër të Pakos së Ringjalljes Ekonomike.

“Mjetet nga Bonot e Diasporës ne do t’i përdorim për të mbështetur prodhuesit vendorë në kuadër të Masës 2.1 të Pakos së Ringjalljes Ekonomike, dhe që tani do ta përcjell propozim vendimin për mbledhjen e radhës së Qeverisë”, ka shkruar Murati.

Ndryshe, Bonot e Thesarit për diasporën janë letra me vlerë të garantuara nga shteti dhe të emetuara nga Thesari i Kosovës.

Për ata që blejnë bono të Thesarit me kohëzgjatje trevjeçare, interesin që do ta marrin do të jetë 1.2 për qind, kurse për paratë e investuara për pesë vjet, interesi do të jetë 2.2 për qind.

(Kosova Sot Online)