LDK: Sibel Halimi është banore e Ferizajt, KQZ ka bërë gabim teknik

  • E.K /
  • 19 gusht 2021 - 14:56
 LDK: Sibel Halimi është banore e Ferizajt, KQZ ka bërë gabim teknik

Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar pas raportimeve se Sibel Halimi, kandidate e kësaj partie për kryetare të Ferizajt nuk është banore e kësaj komune, e rrjedhimisht nuk do të mund të certifikohet për zgjedhje.

Nga LDK-ja i thanë se KQZ-ja është në fazën e shqyrtimit të kërkesave të subjekteve politike, e më pas do të vie edhe vendimi përfundimtar për çertifikim.

“KQZ-ja është në fazën e shqyrtimit të kërkesave të subjekteve politike, kjo është vetëm fazë shqyrtuese, më pas do të vie vendimi përfundimtar për çertifikim”, thonë nga Lidhja Demokratike.

Sipas partisë që udhëhiqet nga Lumir Abdixhiku, ajo se cka ka ndodhur në fakt është vetëm një gabim teknik nga ana e KQZ-së.

“Kjo çështje është veç një gabim teknik nga ana e KQZ-së. Ne jemi në rregull sa i përket dokumentacioneve. Sibel Halimi është banore e komunës së Ferizajt, rrjedhimisht edhe kandidate për kryetare të Komunës”, thonë nga Lidhja Demokratike.

Mediat kanë raportuar se edhe kandidati i LDK-së për kryetar të Prishtinës, Përparim Rama nuk do të mund të certifikohet nga KQZ-ja për shkak se nuk e ka letërnjoftimin e Kosovës, por të UNMIK-ut.

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Prishtinës, Përparim Rama, ka mohuar se ka aplikuar për certifikim në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve me letërnjoftim të UNMIK-ut.

Ai tha se në KQZ ka ndodhur ndonjë gabim teknik.

“Nuk e di pse ka dalë ai lajm, unë letërnjoftimin e kam të Kosovës, janë numrat nga letërnjoftimi i Kosovës, me siguri kanë bërë ndonjë lëshim teknik”, deklaroi Rama.

Valmir Elezi, zëdhënës në KQZ, ka deklaruar për Express se nga data 17 gusht, zyra për regjistrim të partive politike dhe certifikim ka filluar t’i njoftojë subjektet politike për korrigjimet që duhet të i bëjnë.

“Duke u mbështetur në planin operacional të miratuar nga KQZ-ja, më 17 gusht Zyra për Regjistrim të Partive Politike dhe Certifikim ka filluar të njoftojë subjektet politike lidhur me përmirësimet apo korrigjimet që duhet të bëjnë. Kjo është një mundësi që e jep ligji për zgjedhjet e përgjithshme dhe ligji për zgjedhjet lokale që subjektet politike të paraqesin përmirësimet/korrigjimet Brenda afatit të caktuar nga Zyra”, ka deklaruar Elezi.

Elezi ka thënë se kanë zhvilluar komunikim me të gjitha subjektet politike ku është vërejtur ndonjë gabim apo mungesë dokumentacioni.

“Zyra ka zhvilluar komunikim të tillë me të gjitha subjektet politike, tek të cilat është evidentuar ndonjë gabim/mungesë dokumentacioni që duhet të përmirësohet/korrigjohet. Pas kësaj faze, si dhe pasi të përmbyllim procesin e verifikimit të kandidatëve nëse janë në përputhje me Nenin 29 të ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, Zyra do të paraqesë në KQZ rekomandimet për certifikim ose jo të ndonjë kandidati. Si gjithmonë, mbledhjet janë të hapura për mediat dhe do të mund të përcjellin procesin e vendimmarrjes së KQZ-së”, thotë ai.

(Kosova Sot Online)