“Saherë po qëllojmë bashkë, po na sulmojnë”, reagon Sibel Halimi

  • A.P /
  • 19 August 2021 - 16:56
“Saherë po qëllojmë bashkë, po na sulmojnë”, reagon Sibel Halimi

Kandidatja për kryetare të Ferizajt nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Sibel Halimi ka reaguar pas lajmeve se ajo nuk do të mund të kandidojë për kryetare në këtë komunë për shkak se nuk është banore e Ferizajt.

Nga LDK-ja gjatë ditës kanë konfirmuar  se Halimi është banore e Ferizajt dhe se e njëjta do të mund të kandidojë për kryetare të këtij qyteti. KQZ-ja ka bërë gabim teknik deklaruan nga LDK-ja.

E vet Halimi përmes një fotografie të postuar në rrjetin social “Facebook”, me kandidatin për Prishtinën, Përparim Rama tha se sa herë që po bëhen bashkë të dy po sulmohen.

“Saherë po qëllojmë bashkë, po na sulmojnë? E ne, veç po forcohemi e po buzëqeshim! Nga 17 tetori, Prishtina e Ferizaj do të jenë n’duar t’sigurta✌”, ka shkruar ajo.

Kujtojmë që probleme në KQZ është raportuar se i kanë dal edhe Përparim Ramës.

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Prishtinës, Përparim Rama, ka mohuar se ka aplikuar për certifikim në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve me letërnjoftim të UNMIK-ut

Rama ka deklaruar se në KQZ ka aplikuar për certifikim me letërnjoftim të Republikës së Kosovës, të cilin e ka marrë në muajin qershor.

Ai tha se në KQZ ka ndodhur ndonjë gabim teknik.

“Nuk e di pse ka dalë ai lajm, unë letërnjoftimin e kam të Kosovës, janë numrat nga letërnjoftimi i Kosovës, me siguri kanë bërë ndonjë lëshim teknik”, deklaroi Rama.

Rama tha se ky lëshim i KQZ-së do të rregullohet deri të premten.

“Prej anës time çdo gjë është në rregull. Me siguri ky problem teknik do të rregullohet deri të premten”, ka deklaruar Rama.


(Kosova Sot Online)