Fred Abrahams: Xhavit Haliti i premtoi CIA-s se do të bllokonte fondet nga trafiku i drogës

  • A.P /
  • 19 August 2021 - 21:22
Fred Abrahams: Xhavit Haliti i premtoi CIA-s se do të bllokonte fondet nga trafiku i drogës

Fred Abrahams qe një djalë i ri kur erdhi në Shqipëri bashkë me dy amerikanë të tjerë të rinj, me detyrën për të ndihmuar studentët e katedrës së sapohapur të Gazetarisë në Universitetin e Tiranës, për të publikuar një gazetë modeste me bazë, gazetarinë e pavarur dhe të paanëshme, siç duhet të jetë zakonisht gazeta. “Qëllimi ynë është të prezantojmë lajmin ashtu siç e shohim, jo si e ndjejmë, e imagjinojmë apo dëshirojmë të jetë,” shkruan studentët në numrin e parë. “Detyra jonë është të ofrojmë informacion objektiv dhe të balancuar, të lirë nga ngjyrimet politike apo ideologjike.”

Fred Abrahams duket se shpejt pas kësaj, në vend që të bëhej gazetar i paanshëm, u bë aktivist i të drejtave të njeriut. Ai jetoi për periudha të gjata në Shqipëri dhe Kosovë, mbajti shënim për gjithçka dhe punoi për të zbardhur ngjarje që kishin ndodhur. Ai është një aktivist i të drejtave të njeriut që shqyrtoi çdo informacion me skrupullin e faktit për të raportuar për ngjarje që shtrihen në një periudhë prej më shumë se tre dekadash.

Pjesë nga libri i tij:

* * *

Në pranverën e 1998-s, qeveria amerikane kishe dy shqetësime kontradiktore. Së pari, a ishte UÇK-ja grup marksist-leninist? Së dyti, a bashkëpunonte ajo me shtete ose grupe islamike? Xhavit Haliti u përpoq t’i zbuste të dyja frikat. Afërsia ndaj Enver Hoxhës ishte relike e së kaluarës, shpjegoi ai, një rezultat i propagandës dhe i ëndërrave të kosovarëve. Grupin e udhëhiqte vetëm çlirimi i Kosovës. […] Mëgjithatë, UÇK-ja ishte e vendosur t’i priste të gjitha lidhjet me armiqtë e Shtetëve të Bashkuara.Për të fituar besim, Xhavit Haliti tha se ai hapi librat e llogarive. Ai shkëmbeu informacion për llogaritë bankare të UÇK-së dhe premtoi se do të blente armë nga burime të miratuara nga SHBA-ja, edhe sikur ato të kushtonin më shumë. Në prill 1998, UÇK-ja dhe CIA, me ndihmë nga SHIK-u, ranë në ujdi për tre pika kryesore, thanë veç e veç nga njëri-tjetri Xhavit Haliti dhe Fatos Klosi. Së pari, UÇK-ja pranoi të mos përdorte dhunë jashtë Kosovës, duke përfshirë sulmet në Serbinë e mirëfilltë. Së dyti, ajo premtoi të mos bashkëpunonte me grupet e armatosura islamiste. Ajo do të refuzonte luftëtarët, armët dhe fondet. Së treti, Xhavit Haliti premtoi të bllokonte fondet nga trafiku i drogës dhe burime të tjera të paligjshme. […] Në Shqipëri, diplomatët e huaj vazhdonin t’i mbanin ison qasjes paqësore. Talbott-i dhe Gelbard-i u kthyen në Tiranë më 18 prill 1998, dhe u kërkuan shqiptarēve të Kosovës të hiqnin dorë nga dhuna. […] Po atë muaj, shefi i SHIK-ut, Klosi, vizitoi Uashingtonin për një takim me drejtorin e CIA-s, George Tenet-in. Siç e shpjegoi Klosi “CIA ishte për luftë. Departmenti i Shtetit për bisedime.”.


(Kosova Sot Online)