Diplomati italian rrëfen tmerrin që i panë sytë në Kabul

  • E.K /
  • 20 August 2021 - 09:15
 Diplomati italian rrëfen tmerrin që i panë sytë në Kabul

Një diplomat italian ka folur për kushtet në të cilat po zhvillohen operacionet e shpëtimit në aeroportin e Kabulit.

“Fatkeqësisht na është dashur të jemi dëshmitarë të skenave dramatike, por kemi arritur në kushte emergjence absolute të sjellim në shtëpi bashkatdhetarët tanë dhe disa nga kolegët tanë afganë” tha Tommaso Claudi, për agjencinë e lajmeve “Ansa”.

Fluturimi i parë italian i evakuimit me 86 persona u ul në Romë të Mërkurën.

Më vonë dy avionë “C130” që transportonin gjithsej 200 persona u nisën nga Kabuli pasdite dhe në mbrëmje, tha ministria e Mbrojtjes e Italisë, shkruan “BBC”.

Claudi mbeti në Kabul për të menaxhuar operacionet e kthimit në vend. “Në Afganistan ne jemi dëshmitarë të një tragjedie të madhe humanitare dhe ne të gjithë po bëjmë çmos” tha ai.

Ministri italian i Mbrojtjes falënderoi “më shumë se 1500 ushtarë italianë që po kryejnë, pa ndërprerje, një punë të jashtëzakonshme për të siguruar transportin e bashkëpunëtorëve afganë dhe familjeve të tyre“.

Situata në aeroportin e Kabulit vijon që të jetë kaotike, pasi talebanët kanë bllokuar rrugët lidhëse me portën ajrore, drejt së cilës janë drejtuar mijëra afganë me qëllim arratisjen nga vendi, pasi i tremben hakmarrjes.

(Kosova Sot Online)