Istogasi shkoi në Budva për të kërkuar punë e nuk u lajmërua më – detaje nga zhdukja e 56-vjeçarit

  • E.K /
  • 20 August 2021 - 11:27
 Istogasi shkoi në Budva për të kërkuar punë e nuk u lajmërua më – detaje nga zhdukja e 56-vjeçarit

Një 56-vjeçar nga komuna e Istogut është larguar nga shtëpia qe më shumë se një muaj dhe nuk është kthyer më. Sipas familjarëve të tij, ai ka shkuar në Mal të Zi për të kërkuar punë, por nuk është lajmëruar asnjëherë nga atje. Media sjell detaje nga ky rast

Më 2 korrik të këtij viti, Gj.B. nga komuna e Istogut, është nisur drejt Malit të Zi, për të kërkuar punë. Destinacioni i tij ishte Budva, por familja e tij nuk u informua asnjëherë nëse 56-vjeçari arriti atje apo jo.

Kjo pasi familja nuk ka pranuar asnjë telefonatë nga ai, ndërkaq telefonin celular ai e kishte lënë në shtëpi para se të nisej për në Mal të Zi.

Nga stacioni policor në Istog, kanë deklaruar për Express se për zhdukjen e 56-vjeçarit, ka raportuar në polici vëllai i tij.

“Dje vëllai i viktimës ka raportuar se më datë 02.07.2021 ai është larguar nga shtëpia dhe sipas ankuesit, e ka kaluar kufirin Kosovë-Mal i Zi, nga ajo ditë nuk është lajmëruar në shtëpi. Sipas familjarëve ka shkuar për punë, sipas tyre ai ka thënë që po shkon në Budva. Sipas ankuesit, viktima në momentin që është larguar ka pasur veshur një bluzë të bardhë. Telefonin të cilin e kishte në posedim e ka lënë në shtëpi”, kanë deklaruar nga policia.

Nga policia kanë bërë me dije se vëllai i viktimës e ka lajmëruar rastin edhe te organet malazeze.

“Ankuesi ka deklaruar se ka shkuar në Mal të Zi, në Rozhajë, dhe e ka raportuar edhe atje rastin. Ka kërkuar ndihmë nga organet e rendit atje. Ndërkaq ne si stacion policor në Istog i kemi lajmëruar të gjitha njësitë përkatëse për këtë rast dhe po i ndërmarrim të gjitha masat e nevojshme”, kanë deklaruar nga policia.

Nga policia thonë se vëllai i 56-vjeçarit ka deklaruar se ai nuk ka pasur probleme shëndetësore, e as probleme me dikë.

56-vjeçari është i martuar dhe ka një djalë.

Ndryshe, lidhur me këtë rast policia ka njoftuar edhe përmes raportit 24 orësh.

“PERSON I ZHDUKUR-Istog, 02.07.2021 – NN.  Ankuesi mashkull kosovar me 19.08.2021 ka raportuar se me datën e cekur viktima mashkull kosovar, vëllai i tij ka dalë nga shtëpia dhe ende nuk dihet vend-ndodhja e tij. Njësitet policore janë duke hetuar rastin. Është informuar edhe prokurori lidhur me rastin”, thuhet në raportin e policisë.

(Kosova Sot Online)