Po kalonte vijat e bardha për të blerë ujë, 36-vjeçari shqiptar përplaset për vdekje nga vetura

  • E.K /
  • 23 August 2021 - 08:19
 Po kalonte vijat e bardha për të blerë ujë, 36-vjeçari shqiptar përplaset për vdekje nga vetura

Një aksident me pasojë vdekjen ka ndodhur në Itali, ku ka humbur jetën tragjikisht një shqiptar i identifikuar si Gazment Bushi, 36 vjeç.

Ai kishte dalë për të shijuar një mbrëmje me miqtë e tij, por pasi doli nga lokali u përplas për vdekje nga një automjet tip “Porsche” që po ecte me shpejtësi.

Tragjedia ndodhi rreth orës 3 të mëngjesit të së shtunës në vijat e bardha në Livorno. Ai shoqërohej me një mik teksa po shkonte të blinte një shishe ujë kur u godit për vdekje nga makina, e cila drejtohej nga një 33-vjeçar që ishte në gjendje të dehur, shkruajnë mediat italiane.

Bushi u dërgua me urgjencë në spital, por nuk ia doli të mbijetonte për shkak të dëmeve të rënda që kishte marrë në kokë. Gazment Bushi, i njohur ndryshe si Gazi, punonte si murator në kompaninë e ndërtimit të vëllait të tij. Ai la pas gruan me dy fëmijë të vegjël, një djalë tetë vjeç dhe një vajzë 8 muajshe.

(Kosova Sot Online)