Infektologu Dreshaj: Shteti po e trajton jetën njerëzore, vetëm si statistikë ditore të infeksioneve

  • E.K /
  • 23 August 2021 - 11:47
 Infektologu Dreshaj: Shteti po e trajton jetën njerëzore, vetëm si statistikë ditore të infeksioneve

Infektologu dhe deputeti nga radhët e AAK’së, Shemsedin Dreshaj ka deklaruar se është fatkeqësi që jeta njerëzore po trajtohet vetëm si shifër në statistikat ditore të infeksioneve me Covid-19.

Dreshaj ka shkruar në Facebook se shtetet janë krijuar për të mbrojtur jetën e qytetarëve të tyre.

“Është fatkeqësi e madhe që jeta njerëzore po trajtohet nga shteti vetëm si shifër në statistikat ditore të të infektuarve. Jeta është e shenjtë dhe është obligim shtetëror që ajo të mbrohet. Vet shtetet janë krijuar për të mbrojtur jetën e qytetarëve të tyre.”, ka shkruar ai.

Dreshaj krahas shkrimit, ka ndarë dy fotografi, me stafin e Klinikës Infektive në Prishtinë, ku edhe u ankua për kushtet e rënda në të cilat punojnë mjekët dhe stafi teknik.

“Në Klinikën Infektive, nuk punon as porta dezinfektuese. Brenda klinikës, në mungesë stafi, po kujdestarojnë edhe kryeinfermierët. Fuqia shpirtërore e këtyre grave dhe burrave është për admirim. Nuk dorëzohen asnjëherë.”, ka shkruarDreshaj, duke pyetur krejt në fund: “Po shteti, ku është?”.

(Kosova Sot Online)