Haxhiu thotë se do t’i bashkohet protestës së nesërme në Ferizaj për vrasjen e 18 vjeçares

  • A.P /
  • 23 August 2021 - 23:14
Haxhiu thotë se do t’i bashkohet protestës së nesërme në Ferizaj për vrasjen e 18 vjeçares

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se do t’i bashkohet protestës të thirrur për nesër ku kërkohet drejtësi për 18 vjecaren e cila u dorëzua pa shenja jete nga dy persona në Spitalin e Ferizajt dhe më pas u larguan. Njëri nga ta është arrestuar, ndërsa tjetri ndodhet ende në arrati.

Qendra Kosovare për Studime Gjinore ka thirrur një protestë për nesër në orën 12:00, pas vrasjes së 18-vjeçares në Ferizaj.

Protesta pritet të mbahet pranë Stacionit Policor, Gjykatës dhe Prokurorisë në Ferizaj, në shenjë revolte ndaj dhunës. Haxhiu thotë se do t’i bashkohet kësaj proteste.

“Unë do t’i bashkohem protestës së neserme “Drejtësi për gratë e vrara” e cila do të mbahet pranë stacionit policor në Ferizaj!”, ka thënë ajo.

“Angazhimi shoqëror dhe institucional është i domosdoshëm për ndryshimin e mentalitetit patriarkal dhe për veprime serioze kundër dhunës ndaj grave, dhunës në familje dhe dhunës në baza gjinore!”, shtoi Haxhiu. 

(Kosova Sot Online)