Pamje të reja të arrestimit të Krivaqës, forca të shumta policore e çojnë në Stacionin e Policisë

  • E.K /
  • 24 August 2021 - 13:30
 Pamje të reja të arrestimit të Krivaqës, forca të shumta policore e çojnë në Stacionin e Policisë

Është arrestuar i dyshuari kryesor i vrasjes së 18-vjeçares, M.O, Dardan Krivaqa.

Lajmin e ka konfirmuar Policia e Kosovës përmes një njoftimi për media.

“Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj, njofton se është arrestuar i dyshuari për ‘’Vrasje të rëndë’’. Vrasja e rëndë, ka ndodhur me datën 22.08.2021 në Ferizaj, ku humbi jetën 18 vjeçarja M.O (F/K) . Ai po shoqërohet në polici”, thuhet në njoftimin e policisë.

Dardan Krivaqa është i dyshuari kryesor për vrasjen e 18-vjeçares, M.O, që të dielën është dërguar pa shenja jete në emergjencën e Ferizajt.

Ndërkohë sot Gjykata Themelore në Ferizaj i ka caktuar masën e paraburgimit Arbër Sejdiut, i dyshuar për vrasjen e 18-vjecares, M.O nga Ferizaj, raporton Gazeta Express.

“Gjykata Themelore në Ferizaj, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit A.S. shtetas Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale të kryer në bashkëkryerje vrasje e rëndë nga neni 173 paragrafi 1 nën paragrafi 1.4 dhe 1.8 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, thuhet në njoftimin e Gjykatës, teksa të njejtit kanë publikuar detaje për rastom.

“Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda – Ibrahim Idrizi, ka vërtetuar faktin se ekziston dyshimi i bazuar mirë, se i pandehuri më 22 gusht 2021, në Ferizaj, në banesën e të pandehurit D.K., me dashje, në mënyrë mizore për motive të ulëta-gjelozie, për shkak se i pandehuri D dyshonte se e ndjera M.O. e kishte tradhtuar me djalin e dajës së të pandehurit D., për këtë arsye i pandehuri D, një natë përpara, ka ushtruar fillimisht dhunën psikike, e pastaj edhe dhunën fizike, e cila ka vazhduar edhe ditën kritike, derisa e ndjera ka ndërruar jetë, ndërsa i pandehuri A.S., gjatë gjithë kohës ka qenë i pranishëm, në vendin e ngjarjes, e i cili edhe ka marr pjesë në ushtrimin e dhunës fizike dhe psikike, me këtë ka kontribuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në kryerjen e veprës penale, gjegjësisht vdekjen e të ndjerës, dhe më pas të njëjtën e dërgojnë dhe e lënë në spitalin e përgjithshëm në Ferizaj, pa shenja jete, ndërsa dy të pandehurit ikin në drejtim të panjohur”, thotë Gjykata.

“Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së, dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj”, thuhet në njoftim.

https://fb.watch/7AAotEOTi_/

(Kosova Sot Online)