Kryeministri Kurti merr pjesë në varrimin e 18-vjeçares që u vra në Ferizaj

  • E.K /
  • 24 August 2021 - 13:55
 Kryeministri Kurti merr pjesë në varrimin e 18-vjeçares që u vra në Ferizaj

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është parë në mesin e pjesëmarrësve në ceremoninë e varrimit të 18-vjeçares M.O., që u vra dy ditë më parë në banesën e partnerit të saj në Ferizaj.

Për vrasjen e saj, Kurti ka reaguar edhe mbrëmë me anë të një postimi në profilin e tij në Facebook. Mes të tjerash kryeministri ka thënë se Kosova nuk ka jetë grash dhe vajzash për të humbur.

“Një 18 vjeçareje dje iu ndalën përgjithmonë dëshirat dhe ëndrrat. Ajo nuk e humbi jetën në aksident trafiku apo konflikt lufte. Jeta e saj u shua dhunshëm në mjedisin ku çdo njëri nga ne duhet të ndihet i dashur, i respektuar e mbi të gjitha i mbrojtur”, është shprehur Kurti ndër të tjera.

Para se të niste ceremonia e varrimit, në Ferizaj u protestua dhe u kërkua drejtësi për vrasjen e 18-vjeçares.

Protesta u përcoll me numër të madh të pjesëmarrësve dhe me pankarta të ndryshme, ndërsa disa nga pjesëmarrësit u hodhën ngjyrë të kuqe policëve që po përkujdeseshin për sigurinë në hyrjen e oborrit të stacionit policor.

(Kosova Sot Online)