Mbyllje dhe orë policore, këto janë masat që pritet të merren, pas përkeqësimit të gjendjes me Covid-19

  • A.P /
  • 26 August 2021 - 20:29
Mbyllje dhe orë policore, këto janë masat që pritet të merren, pas përkeqësimit të gjendjes me Covid-19

Numri i madh i rasteve dhe i viktimave si pasojë e COVID-19 ka bërë që Ministria e Shëndetësisë të shqyrtojë miratimin e masave më strikte anti COVID.

Në kuadër të masave të reja që pritet të zgjasin nga 1 shtatori deri më 13 shtator është paraparë edhe rikthimi i orës policore.

Lajmin e ka bërë të ditur Oda e Hotelierisë dhe Turizmit, e cila sot ka zhvilluar një takim me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia.

Sipas Odës së Hotelierisë dhe Turizmit, këto janë disa nga masat që do të merren:

• Orari i punës do të reduktohet për një orë nga 22:30 në 21:30;

• Gastronomia do të funksionojë vetëm me hapësirat e jashtme, dhe vetëm 70% të hapësirës;

• Në qendrat tregtare gastronomia nuk do të funksionojë fare;

• Sallat e dasmave, klubet e natës, kinematë dhe të tjera do të vazhdojnë të jenë plotësisht të mbyllura;

• Seminaret dhe konferencat në hapësira të mbyllura mund të mbahen vetëm deri në 30 persona;

• Ora policore do të jetë nga ora 22:00 deri në ora 5:00 të mëngjesit.

“Për shkak të numrit të madh të rasteve të të infektuarve me Covid-19 ju lusim t’i respektoni këto dhe masa të tjera që priten të hyjnë në fuqi së shpejti”, thuhet në njoftimin e Odës së Hotelierisë dhe Turizmit.


(Kosova Sot Online)