Aksidenti me 5 të vdekur, arrestohet shoferja e “Range Rover”, dëshmia e të mbijetuarave

  • E.K /
  • 27 August 2021 - 09:55
 Aksidenti me 5 të vdekur, arrestohet shoferja e “Range Rover”, dëshmia e të mbijetuarave

“Furgoni e mori kthesën gjerë dhe shoqja jonë (drejtuesja e ‘Range Rover’ frenoi për të shmangur përplasjen, ndërsa makina rrëshqiti nga lagështia.”.

Kështu kanë deklaruar dy shtetaset italiane, Anna Cascavilla, 23 vjeçe, dhe Giulia Parimi, 22 vjeçe, të cilat i mbijetuan bashkë me shoferen aksidentit, nga i cili 5 persona ndërruan jetë.

Zbuloni kremin rigjenerues që Melisa përdor për lëkurën e saj!

Ngjarja e rëndë ndodhi ditën e djeshme në Qafën e Muzinës. Policia ka vënë nën pranga shtetasen Rexhina Çelhaka. Ndërkohë që ende nuk ka dalë shkaktari i aksidentit dhe hetimet vazhdojnë.

Viktima të aksidentit ishin; Olesander dhe Tetiana Fediaieva, 53 dhe 48 vjeç, nga Ukraina, Bardhi Proda (shoferi) dhe çifti i bashkëshortëve, Fiqiri e Dritë Korçari. Fatmirësisht nga furgoni, i cili përfundoi në humnerë doli e gjallë Gerta Kaberdini, 25 vjeçe.

Njoftimi i plotë i Policisë Gjirokastër:

Specialistët e Seksionit të Trafikut Interurban dhe Urban arrestuan në flagrancë shtetasen R. Ç., 22 vjeçe, banuese në Tiranë.

Kjo shtetase, duke drejtuar mjetin “Land Rover”, në aksin rrugor Muzinë-Jorgucat, është përplasur me mjetin tip furgon me drejtues shtetasin B. P., 51 vjeç dhe për pasojë mjeti furgon ka rënë disa metra poshtë rrugës.

Si pasojë e aksidentit kanë humbur jetën drejtuesi i furgonit, shtetasi B. P., banues së Sarandë, pasagjerët F. K., 77 vjeç, D. K., 72 vjeçe,T. F., 48 vjeçe, banuese në Ukrainë dhe O. F., 53 vjeç, banues në Ukrainë.

Gjithashtu kanë mbetur të dëmtuara shtetaset G. D., 25 vjeçe, banuese në Tiranë (pasagjere në mjetin tip furgon), R. Ç. (drejtuese e mjetit “Land Rover”), A. K., 23 vjeçe dhe G. P., 22 vjeçe, banuese në Itali (pasagjere në mjetin “Land Rover”).

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për përcaktimin e shkakut dhe rrethanave të aksidentit. 

Materialet i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.

(Kosova Sot Online)