Deputeti i VV-së pasi kritikoi Vitinë: Pas komenteve fyese, linçuese e ofenduese dua të sqaroj 2 çështje

  • E.K /
  • 27 August 2021 - 12:18
 Deputeti i VV-së pasi kritikoi Vitinë: Pas komenteve fyese, linçuese e ofenduese dua të sqaroj 2 çështje

Deputeti i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, pjesë e Listës Guxo, Burim Karameta dje i ka dalë kundër ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, lidhur me shtesat prej 60 eurove për stafin mjekësor. Karameta i tha Vitisë të marrë guximin dhe t’u kërkojë falje qytetarëve e mantelbardhëve, sepse sipas tij, do të çlirohej sadopak.

Lidhur me këtë reagim pati reagime të shumta, e në mesin e tyre edhe ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla e cila është pjesë e Listës Guxo.

Ajo dje doli hapur dhe e përkrahu ministrin Vitia në ditën kur u shënuan 18 vdekje nga COVID-19.

Ndërsa, sot Karameta ka sqaruar se ka marrë komente ofenduese e linçuese pas deklaratës së mbrëmshme që bëri për Vitinë.

“1. Nuk ndihem i ofenduar, kërcënuar e as i frikësuar, pra ndihem mirë dhe sigurtë.

2. Unë shkrova dhe kritikova veç 1/15 pjesë të Qverisë Kurti, dhe ate vetëm disa komponente të kësaj pjese. Jo më tepër. Dhe, këte e bëra me qëllim të përmirësimit, asnjë tendencë tjetër. Në shëndetësinë kosovare u krijua indinjatë dhe pasiguri, për të cilën kauza jonë nuk e përballon dhe nuk duhet t’a lejon. Kauza jonë politike, standardi i ri politik që krijuam, strategjia jonë e përbashkët kërkon punë dhe çasje tjetër ndaj shëndetësisë.

Kryministrin Kurti e vlerësoj si kryeministrin më të mirë që ka pas Kosova. Këtë e thanë edhe 51% qytetarëve, në mesin e të cilëve edhe unë me angazhimin tim maksimal, dhe gjithashtu do të angazhohem dhe do të jem pjesë e kësaj qeverie, do të jap kontributin tim për punë të mira. LVV – GUXO do të marr edhe shumicën e Komunave në qeverisje në këto zgjedhje lokale, ku kontributi im do të jetë i pakompromis, e sidomos në regjionin prej nga unë vi”, shkroi Karameta.

(Kosova Sot Online)