10 fëmijë me Covid-19 po trajtohen në Pediatri

  • S.A /
  • 27 August 2021 - 13:39
10 fëmijë me Covid-19 po trajtohen në Pediatri

Dhjetë fëmijë të infektuar me coronavirus janë duke u trajtuar në Klinikën Pediatrike të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, gjendja e të cilëve për momentin është stabile.

Kështu ka thënë pediatrja Arbnore Batalli Këpuska, e cila foli edhe për simptomat e këtyre fëmijëve dhe për vaksinimin.

Në Klinikën e Pediatrisë, në repartin e COVID-19 janë duke u trajtuar gjithsej 10 fëmijë. Gjendja e tyre është stabile”, ka thënë Batalli Këpuska.

Pediatrja Batalli-Këpuska tha se fëmijët me COVID-19 që po trajtohen në Klinikën Pediatrike kanë shkuar aty me simptoma të ndryshme.

“Ka pasur me simptoma të traktit respirator dhe të traktit gastrointestinal, që do të thotë kanë barkqitje, kanë vjellje, kanë koll, temperaturë e po ashtu kanë plogështi”, u shpreh ajo.

Në Klinikën Pediatrike për momentin janë 24 shtretër të dedikuar për fëmijët e infektuar me coronavirus.

Batalli-Këpuska ka folur edhe në lidhje me vaksinimin e fëmijëve me vaksinën anti-COVID.

Ajo tha se duhet të bëhet vaksinimi i atyre mbi 16-vjeç, ndërkaq për fëmijët nga 12 deri në 16 vjeç shpjegoi se në cilat raste duhet të vaksinohen.

“Deri më tani prej 12 deri në 16 vjeç, rekomandimet janë që të vaksinohen fëmijët, apo adoleshentët të cilët vuajnë nga sëmundje kronike. Në sëmundje kronike bëjnë pjesë artriti, fibroza cistike, fëmijët me diabet, ata me astmë e të tjera”, tha ajo.

Tutje, pediatrja bëri thirrje që të ketë sa më shumë vaksinim të personave mbi 16 vjet.

“Ne nuk kemi statistika, nuk e dimë nëse është vaksinuar dikush nën 16-vjeç por mbi 16-vjeç e tutje normalisht duhet të vaksinohen. Vaksina është shpëtimi, andaj për të ua parë buzëqeshjen fëmijëve tanë, e të mos i neglizhojmë simptomat, por t’i paraqesim menjëherë tek pediatri”, bëri thirrje ajo.

Ndryshe, Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës ka bërë të ditur se 1,139 pacientë janë të shtrirë në klinikat COVID dhe spitalet e përgjithshme.

ShSKUK njofton se prej tyre 1,051 të konfirmuar Covid-19 pozitivë, 952 me oksigjeno-terapi dhe 55 në gjendje të rënduar shëndetësore.

Në QKUK, 392 pacientë të shtrirë, 382 prej tyre Covid-19 pozitivë, 331 me oksigjeno-terapi:

Klinika Infektive, 116 pacientë

Klinika Infektive 2 (Mjekësia Sportive), 89 pacientë

Klinika Infektive 3 (Interno), 70 pacientë

Mjekimi Intensiv Qendror COVID- 19, 14 pacientë

Klinika e Pulmologjisë, 65 pacientë

Klinika e Pediatrisë, 10 pacientë

Klinika e Gjinekologjisë, 28 pacientë

Në spitalet e përgjithshme po trajtohen 747 pacientë, 669 prej tyre Covid-19 pozitivë, 621 me oksigjeno-terapi.

Spitali i Prizrenit, 159 pacientë

Spitali i Gjakovës, 130 pacientë

Spitali i Pejës, 178 pacientë

Spitali i Gjilanit, 138 pacientë

Spitali i Mitrovicës, 42 pacientë

Spitali i Vushtrrisë, 22 pacientë

Spitali i Ferizajt, 78 pacientë.

(Kosova Sot Online )