Bekim Jashari uron me fjalët më të mira për ditëlindje, motrën e tij Besartën

  • E.K /
  • 28 August 2021 - 15:40
Bekim Jashari uron me fjalët më të mira për ditëlindje, motrën e tij Besartën

Kryetari i Komunës së Skenderajit, Bekim Jashari, ka zgjedhur fjalët më të mira për ta uruar motrën e tij për ditëlindje.

Në urimin e tij ai thotë se është Besarta ajo e cila mbush me jetë dhe e motivon për të ecur para.

Shkrimi i plotë:

Sot ka ditëlindjen njeriu më i veçantë dhe më i dashur për mua, motra ime e vetme Besarta, e cila me mbush me jetë e më motivon për të ecur para.

Sot në ditëlindjen e saj, ska si të mos me kujtohen vitet e para të saj si fëmijë, dashuria që na ofronte të gjithëve, lidhja e saj e fortë me babushin Hamëzen, të cilit i shkonte çdo herë pas sikur e dinte që do të ndahej shpejtë nga ai, për t’ia falur Kosovës.

Ashtu si edhe fëmijët tjerë të familjes, Besarta ishte rritur me frymën e atdhedashurisë, trimërisë dhe kundërshtimit të regjimit shovinist serb.

Besarta dhe fëmijët tjerë asnjëherë nuk donin që të largoheshin nga baba Shaban, Komandanti Legjendar Adem Jashari e babushi Hamëza, kështu secili prej tyre edhe në betejën e 5,6 dhe 7 marsit ishin të përgatitur dhe secili prej tyre kryente detyrën e vet, dikush duke ndihmuar me armatim e dikush duke luftuar ballë për ballë kundër armikut.

Besarta ishte i vetmi fëmijë që kishte shpëtuar nga kjo betejë, për të dëshmuar kështu luftën heroike të familjes dhe krimet e shtetit serb.

Pas marrjes së lajmit për rënien heroike të familjes, Besarta ishte motivi im kryesor për të qëndruar i fortë e për të vazhduar para.

Besarta vazhdon edhe sot e asaj dite të jetë gjithçka që më ka mbetur nga familja ime e ngushtë.

Sot kur po feston ditëlindjen, dua ti shpreh dashurinë time të pafund e ta falënderoj për lumturinë që ma sjellë për çdo ditë.

Dita ime nis me Besartën, me bisedën që bëjë me të çdo herë para së të shkoj në punë.

Urime motër, shëndet e gëzime paq tërë jetën!

Të paqim gjatë!

(Kosova Sot Online)