Bartja e virusit nga Kosova, politikanët në Zvicër paralajmërojnë rivendosjen e karantinës

  • G.G /
  • 30 August 2021 - 11:49
Bartja e virusit nga Kosova, politikanët në Zvicër paralajmërojnë rivendosjen e karantinës

Momentalisht, shumë udhëtarë që janë rikthyer në Zvicër nga Kosova kanë përfunduar në njësitë e kujdesit intensiv. Politikanët zviceran janë duke bërë thirrje për vendosjen e karantinës së detyrueshme për të rikthyerit nga vendet në rrezik.

446,340 pasagjerë mbërritën në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, vetëm në muajin korrik. Me pasoja të rënda për vendin: ata e dërguan variantin Delta në Kosovë, ku varianti ishte në gjendje të përhapej shpejt për shkak të shkallës së ulët të vaksinimit.

Tani edhe Zvicra po ndjen efektet: Meqenëse shumë kosovarë janë kthyer në Zvicër, përqindja e udhëtarëve zvicerano-kosovarë që kthehen në njësitë e spitaleve zvicerane është rritur, shkruan mediumi 20min.ch, transmeton Insajderi.

Për shkak se njësitë e kujdesit intensiv janë mbushur me pacientë të infektuar me variantin Delta të COVID-19, ministri i Shëndetësisë në Zvicër, Alain Berset, ka paralajmëruar në gazetën “NZZ am Sonntag” se karantina e udhëtimit mund të vendoset sërish gjatë vjeshtës.

Kjo është ajo që kërkon edhe Këshilltari Kombëtar Qendror në Zvicër, Lorenz Hess: “Në lidhje me pushimet e vjeshtës, ne duhet të mësojmë nga gabimet”.

“Lista e karantinës duhet të rivendoset, të paktën për vendet me rrezik të lart”, ka thënë Hess.

Kjo listë duhet të shoqërohet me “kontrolle rigoroze kufitare”, ka propozuar ai.

“Kushdo që vjen nga një vend i rrezikuar do të duhet të karantinohet për dhjetë ditë gjithsesi. Për të gjitha vendet e tjera, duhet të zbatohen masat si vijon: vetëm ata që mund të provojnë me një rezultat testimi se nuk janë bartës të virusit duhet t’u lejohet hyrja në Zvicër”.

(Kosova Sot Online)