Përpjekjet për ta mposhtur virusin, brenda klinikës Infektive në QKUK

  • E.K /
  • 31 August 2021 - 08:01
 Përpjekjet për ta mposhtur virusin, brenda klinikës Infektive në QKUK

Disa qindra metra larg qendrës së Prishtinës, në Infektivë, bëhet jetë krejt tjetër. Pacientët e infektuar luftojnë për të marrë frymë e për të mbijetuar.

E mbushur me pacientë, por nuk dëgjohet as edhe një zë në korridoret e Klinikës Infektive. Gati se të gjithë janë të lidhur për aparatet e frymëmarrjes, e disa të tjerë të lidhur në aparate tjera, të pavetëdijshëm e të lodhur.

Familjarë të frikësuar që presin të kalojë çdo minut, orë e ditë e ta mposhtin së bashku këtë virus.

Infektiva është e mbushur me pacientë. Nuk ka më as edhe një vend të lirë, as edhe një shtrat të lirë, përkundër rasteve të rënda që po kërkojnë hospitalizim në të.

Shifrat sa i përket koronavirusit në vend ditët e fundit kanë shënuar rritje drastike.

Aktualisht janë 26 mijë e 525 persona të infektuar me këtë virus. Ndërsa dje, Ministria e Shëndetësisë ka raportuar 20 raste të reja vdekjesh, bashkë me 932 raste pozitive dhe 962 të të shëruarve.

Shërbimi Spitalor dhe Kllinik Universitar i Kosovës, ka njoftuar dje qytetarët se për shkak të rritjes së numrit të spitalizuarve me COVID-19, në klinikat e QKUK-së, me Vendim të Komitetit për ngritje të gatishmërisë dhe menaxhimit të situatës me COVID-19, nga data 31 gusht 2021, pezullohet përkohësisht puna në ambulancat specialistike në QKUK.

“Hapësirat e ambulancave specialistike do të shërbejnë për spitalizim të pacientëve me COVID-19”, është thënë në njoftim.

Qytetarëve u është kërkuar që në QKUK dhe në spitalet rajonale, të drejtohen vetëm për rastet urgjente.

Në të njëjtën kohë është apeluar që të vaksionihen qytetarët dhe të respektojnë masat anti-Covid, në mënyrë që sa më shpejt të tejkalohet kjo situatë.

(Kosova Sot Online)