Raportohet se dy talibanë joshën një homoseksual, pastaj e dhunuan

  • G.G /
  • 31 August 2021 - 12:45
Raportohet se dy talibanë joshën një homoseksual, pastaj e dhunuan

Një burrë homoseksual është dhunuar dhe është rrahur nga talibanët. Personi, identiteti i të cilit nuk u bë i ditur, thuhet se u josh për t’u paraqitur në një vend në Kabul nga dy luftëtarë talibanë, të cilët i premtuan largim të sigurt nga Afganistani.

Por, kur u takua me dy burrat, në vend që ta përmbushnin premtimin e rremë, ata e dhunuan dhe e rrahën, duke e lënë të gjallë por të tmerruar. Rastin e raportoi një aktivist afgan për të drejtat e njeriut, Artemis Akbary, i cili tash jeton në Turqi.

Ai i tha televizionit ITV se ka qenë në kontakt me burrin që është dhunuar. Sipas tij, ky është një shembull i hershëm i jetës që i pret personat homoseksualë nën pushtetin e talibanëve, shkruan Daily Mail.

“Ata po mundohen t’i thonë botës se kanë ndryshuar dhe se nuk kanë probleme me të drejtat e grave apo të drejtat e njeriut. Po gënjenjë. Talibanët nuk kanë ndryshuar, sepse ideologjia e tyre nuk ka ndryshuar”, tha Akbary.

“Miqtë e mi në Afganistan janë të frikësuar, ata nuk e dinë se çfarë do të ndodhë me ta në të ardhmen, prandaj po përpiqen që të fshihen”, shtoi ai.

Zëdhënësi i talibanëve, Zabidullah Mujahid, u bëri thirrje forcave të sigurisë që të jenë të butë dhe të sjellshëm me njerëzit, por deklarata e tij është kontrast me paralajmërimin e Kombeve të Bashkuara rreth abuzimit të të drejtave të njeriut.

(Kosova Sot Online)