Afganët e strehuar në Kosovë mund të dalin lirshëm nga kampi

  • G.G /
  • 01 September 2021 - 10:47
Afganët e strehuar në Kosovë mund të dalin lirshëm nga kampi

Refugjatët afganë që janë strehuar në Shqipëri po kanë mundësi të dalin ta shijojnë bregdetin, por edhe muzikën gjatë mbrëmjeve.

Këta janë duke qëndruar në hotele, andaj edhe kanë mundësi të dalin më lirshëm, për dallim nga grupet që janë sjellë në Kosovë.

Por as afganët që janë akomoduar në kampin Bechtel, afër Bondsteelit, nuk e kanë të ndaluar të dalin jashtë.

Ministri i punëve të brendshme, Xhelal Sveçla, bëri me dije se natën mes të martës e të mërkurës pritet të arrijnë edhe 131 refugjatë tjerë.

Deri më tash, asnjë nga 224 afganët që kanë arritur në Kosovë nuk ka rezultuar pozitiv me COVID-19. Ndërsa të njëjtit pritet ta marrin vaksinën Johnson & Johnson, të siguruar nga KFOR-i amerikan.

Gjithsej është paraparë të strehohen rreth dy mijë persona, të cilët nuk do të qëndrojnë edhe gjatë këtu. Sveçla sqaron se qëndrimi në Kosovë është çështje javësh.

Për aq sa rrinë këtyre do t’iu ofrohen trajtime speciale për çfarëdo nevoje, ndërsa do të përfshihen edhe aspekte të edukimit për fëmijët.

Refugjatët e pranuar janë bashkëpunëtorë të SHBA-së dhe NATO-s që u evakuuan nga Afganistani, pasi ky i fundit u mor në duart e talibanëve.

(Kosova Sot Online)