Albin Kurti në një prononcim për Tanjug-un angazhohet për stabilitetin evropian

  • E.K /
  • 01 September 2021 - 11:56
 Albin Kurti në një prononcim për Tanjug-un angazhohet për stabilitetin evropian

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, po merr sot pjesë në Forumin e Bled-it në Slloveni. Nga atje, Kurti ka folur për procesin e negociatave Kosovë-Serbi dhe për reformat e procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian. Ai ka thënë sot se pret që takimi i radhës në mes të Kosovës dhe Serbisë të zhvillohet në vjeshtë.

Kështu ka deklaruar kreu i ekzekutivit kosovar për Tanjug, duke thënë se deri janë mbajtur dy takime në mes tij dhe Vuçiq dhe se takimi i tretë mund të mbahet në vjeshtë.

Ai ka thënë se megjithatë kjo varet nga ndërmjetësi i negociatave, Josep Borell dhe nga Përfaqësuesi Speciale, Miroslav Lajcak.

“Ne kemi pasur dy takime, dhe ndoshta do ta kemi edhe të tretin në vjeshtë, por kjo varet edhe nga ndërmjetësuesit z. Borel dhe z. Lajcak”, ka thënë Kurti për Tanjug, shkruan Kosovo Online.

I pyetur se çfarë pret nga pjesëmarrja e sotme në Forumin në Bled, ai tha se pret që të vërtetohet rëndësia e BE -së për Ballkanin Perëndimor dhe anasjelltas.

“Unë pres që më tej do ta afirojmë rëndësinë e Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor për njëri-tjetrin. BE-ja duhet të jetë e mbrojtur dhe unë besoj që reformat e brendshme dhe zgjerimi i jashtëm i BE’së janë komplementare me njëra-tjetrën”, ka deklruar Kurti.

Ndërkohë emisari i BE’së, Miroslav Lajcak, ka njoftuar se sot do të zhvillojë takime të ndara më Kurtin dhe Vuçiqin, e në të cilat do të flitet për vazhdimin e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë.

(Kosova Sot Online)