Krokodili në kufirin mes Jordanisë e Izraelit, alarmohen autoritetet

  • G.G /
  • 01 September 2021 - 13:11
Krokodili në kufirin mes Jordanisë e Izraelit, alarmohen autoritetet

Autoriteti izraelit i parqeve kombëtare është vënë në kërkim të një krokodili, i cili raportohet se është parë në kufirin me Jordaninë.

Ushtria jordaneze i informoi forcat izraelite se krokodili është parë duke notuar në lumin Yarmouk, i cili përcakton një pjesë të kufirit mes dy shteteve, raportuan mediet izraelite.

Autoriteti Izraelit i Natyrës dhe Parqeve konfirmoi për televizionin Channel 12 se është informuar nga forcat e armatosura se një krokodil mund të jetë i lirë afër dy vendbanimeve të vogla izraelite, të cilat shtrihen afër lumit.

“Autoriteti është duke punuar me ushtrinë për të marrë leje për ta kaluar rrethojën e kufirit me qëllim të kryerjes së kërkimeve në zonë”, thuhet në deklaratën e këtij organi izraelit.

Ndryshe, në Izrael nuk ka krokodilë të egër. I fundit ishte vrarë nga gjahtarët para më shumë se një shekulli, por në disa vende ka krokodilë që mbahen në kafaze si atraksion për turistët.

(Kosova Sot Online)