Disa komuna në Kosovë ndalin testimet për COVID-19 gjatë fundjavave

  • E.K /
  • 01 shtator 2021 - 15:13
 Disa komuna në Kosovë ndalin testimet për COVID-19 gjatë fundjavave

Kumrije Hajra nga Komuna e Skenderajt, mëngjesin e së shtunës (28 gusht) iu drejtua Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare për t’u testuar për COVID-19, pasi një ditë më herët kishte pasur disa simptoma të sëmundjes. Por, ajo nuk arriti që të testohej në këtë qendër, pasi atë ditë aty nuk bëheshin testime.

“Më pas kam shkuar në laborator privat. Për fat, kam rezultuar negativ, por kam paguar 15 euro (për testim). Çmimi është i lartë”, thotë ajo për Radion Evropa e Lirë.

Në Komunën e Skenderajt pohojnë se pas rritjes së kërkesave për testim për COVID-19, muajin e fundit kanë filluar të punojnë edhe gjatë të shtunave, kurse të dielave nuk punohet.

Megjithatë, të shtunën e kaluar (28 gusht), në këtë qendër nuk është punuar për shkak të mungesës së testeve, thotë për Radion Evropa e Lirë, Florentina Shala-Gashi, zëvendësdrejtoreshë e QKMF-së në Skenderaj.

Ajo tregon se javëve të fundit, mbi 120 mostra merren çdo ditë, ku deri në 50 raste rezultojnë pozitivë.

“Madje, më shumë ka interesim për testim gjatë ditëve të fundjavave sesa gjatë ditëve të punës. Ne jemi të interesuar të punojmë edhe të dielën, por kemi mungesë të theksuar të stafit. Nga fillimi i këtij viti, kur kanë filluar që testet të kryhen në laboratorin e kësaj qendre, nuk ka pasur nevojë të punohet gjatë fundjavës, pasi nuk ka pasur shumë raste, ndërkaq që gjashtë javë kemi filluar të punojmë edhe gjatë të shtunave nga ora 08:30 deri më 11:30”, thotë Shala-Gashi.

Përveç Komunës së Skenderajt, disa nga Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në rajone të ndryshme të Kosovës nuk bëjnë teste për COVID-19, gjatë të dielave, e në disa nuk bëhen teste as të shtunave. Në këto qendra kryhen teste rapide, rezultatet e të cilave dalin për 45 minuta. Këto shërbime janë falas në këto qendra.

Laboratori në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Komunën e Skenderajt dhe të Gjilanit nuk punon të dielave, kurse në Komunën e Mitrovicës së Jugut nuk punon as të shtunave.

Veton Ibrahimi, koordinator i shërbimeve shëndetësore në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Mitrovicë, thotë se laboratori në këtë qendër punon vetëm ditëve të punës (nga e hëna deri të premten).

“Ndërkaq ditëve të vikendit, të shtunën dhe të dielën nuk punohet. Kjo për arsye të mungesës së stafit. Kemi mungesë të stafit dhe laboratori punon nga ora 07:00 deri në orën 14:00, edhe janë të rrezikuar dhe nëse vendosim të punojnë edhe gjatë vikendeve duhet t’i paguajmë”, thekson ai.

Gjatë të shtunave punohet edhe në QKMF-në e Gjilanit, thotë Selami Xhemaili, drejtor i Drejtorisë së Shëndetësisë në Komunën e Gjilanit.

“Testet rapide-antigene realizohen ditën e shtunë në QKMF në Gjilan, kurse të dielën jo”, thotë ai.

Në Shoqatën për të Drejtat e Pacientëve, thonë se testimi dhe vaksinimi duhet të jenë shërbime shëndetësore lehtë të qasshme për të gjithë qytetarët, pasi që këto ndikojnë direkt në frenimin e përhapjes së COVID-19, shëndetin e qytetarëve dhe buxhetin familjar të tyre.

“Ne konsiderojmë se shërbimet e testimit dhe vaksinimit duhet të funksionojnë edhe gjatë vikendeve, në mënyrë që qytetarët ta kenë sa më të lehtë t’i marrin këto shërbime sepse ndikojnë direkt në shëndetin individual dhe kolektiv të shoqërisë”, thuhet në një përgjigje me shkrim dërguar Radios Evropa e Lirë nga Shoqata e të Drejtave të Pacientëve.

Zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë thonë se Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare janë nën autoritetin e komunave të Kosovës.

Sipas Ligjit për shëndetësinë, veprimtaria e QKMF-së përfshin ofrimin e kujdesit parësor shëndetësor për banorët e komunës, si një veprimtari me interes të veçantë shqoëror, përmes zbatimit të konceptit të mjekësisë familjare në kuadër të sistemit unik shëndetësor të Kosovës. QKMF-të kanë në dispozicion mjetet dhe pasuritë, të cilat i përkasin komunës.

Për dallim nga QKMF-të, disa nga laboratorët privatë punojnë edhe gjatë fundjavës. Çmimi për një test antigen-rapid kushton nga 10 deri në 15 euro varësisht nga laboratori dhe komuna.

Radion Evropa e Lirë ka kontaktuar disa nga laboratorët privatë që bëjnë teste për COVID -19 dhe shumica nga ta kanë thënë se punojnë edhe gjatë fundjavave, kurse disa të tjerë vetëm me terminë.

Testime shtatë ditë në javë mund të bëhen në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë se Kosovë në Prishtinë dhe në gjashtë qendrat rajonale të këtij instituti (Pejë, Mitrovicë, Gjakovë, Gjilan dhe Prizren).

Sidoqoftë, vetëm gjatë ditës se hënën, më 30 gusht, autoritetet shëndetësore kanë paralajmëruar se në 24 orët janë bërë 7.384 teste të personave të dyshuar me koronaviruis. Kjo i bie që testimet janë realizuar ditën paraprake, të dielën. Por, nuk jepen sqarime se sa nga këto testime janë realizuar në IKSHPK dhe sa në laboratorë privatë.

Kurse, gjatë ditëve e të punës, kryhen deri në rreth 15.000 testime për COVID-19 në institucionet publike dhe private.

Krahas mostestimit për COVID-19, në QMFK-të në Kosovë gjatë të dielave nuk administrohen as vaksina kundër kësaj sëmundje. Autoritetet shëndetësore kanë thënë se me rritjen e stafit shëndetësor dhe pranimin e dozave më të mëdha të vaksinave, do fillohet të punohet gjatë gjithë javës./REL

(Kosova Sot Online)