VV zbardh skandalin e Shpend Ahmetit me tenderin prej 200 milionë eurosh

  • G.G /
  • 02 September 2021 - 13:16
VV zbardh skandalin e Shpend Ahmetit me tenderin prej 200 milionë eurosh

Lëvizja Vetëvendosje në një konferencë për medie po e akuzon komunën e Prishtinës, konkretisht Ndërmarrjen Publike Banesore, që i ka dhënë projekt për ndërtimin e një objekti afarist-banesor një kompanie që është themeluar një ditë para hapjes së konkursit.

Egzon Azemi nga Vetëvendosja tha se kjo kompani ka në plan ndërtimin e një objekti, e që sipas tij, po përfitojnë një grup i caktuar i individëve dhe disa kompani fiktive.

“Me datën 10 mars të këtij viti, nga faqja e NPB-së ka dalë njoftimi për shprehjen e interesit për bashkëfinancim, pa asnjë detaj, duke u e lanë vetëm dy ditë afat për aplikim, sipas të gjitha ligjeve, nuk ka asnjë rast ku afati ka qenë kaq i shkurtër, më pak se shtatë ditë, kjo çon në dyshim për manipulim”.

“Ndërmarrja Publike Banesore po vazhdon të jetë shënjestër e grupeve kriminale dhe paligjshmërive, në fund të këtij mandati po pritet të grabisin aq sa munden, aty po parashihen 100 mijë metra ndërtim, 70 mijë metra mbitokësor dhe 30 mijë metra ndërtim nëntokësor, nëse shohim vlerën minimale të çmimit të tregut në atë zonë, i bie të jetë 200 milionë euro në tërësi ky projekt, ndërsa çmimi për metër katror është minimalisht 2 mijë euro për metër”, shtoi Azemi.

Ai shtoi se sipas drejtorit të pronës dhe njërit nga aksionarët në këtë ndëremarje NPB nga kjo marrëveshje do të përfitojë vetëm 30 përqind si dhe tha se në kurriz të pronës publike të qytetarëve, ata po tentojë të përfitojnë një grup i ngushtë i këtij pushteti komunal dhe disa firmave fiktive apo anonime ndërtimore.

(Kosova Sot Online)