NATO flet për njohjen e talibanëve, tregon se si do të veprohet

  • A.P /
  • 03 September 2021 - 15:50
NATO flet për njohjen e talibanëve, tregon se si do të veprohet

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha të premten se njohja diplomatike e talibanëve do të diskutohet mes anëtarëve të aleancës dhe në komunitetin më të gjerë ndërkombëtar. Sipas tij, qëllimi i këtyre diskutimeve është që të bëhet sa më shumë presion që është i mundur ndaj qeverisë së talibanëve.

Përpos çështjes së njohjes, shefi i NATO-s tha se aleanca do të mundohet që të evakuojë më shumë afganë të ndjeshëm dhe të mbetet në kontakt me talibanët, por se pushtetarët e rinj të Afganistanit duhet të dëshmohen të denjë për të marrë ndihma dhe njohje, shkruan Reuters

Anëtarja e NATO-s, Turqia, e cila e ka menaxhuar aeroportin e Kabulit gjashtë vjet, ka ofruar ndihmë për ta mbajtur atë të operueshëm tani që Shtetet e Bashkuara dhe trupat tjera të NATO-s janë larguar. Ndihmë ka ofruar edhe Katari.

Stoltenberg tha se ka diskutuar për këtë çështje me emirin e Katarit, Sheik Tamim bin Hamad al-Thani, dhe me ministrin e Punëve të Jashtme të Katarit. Ai gjithashtu tha se shumë afganë që kanë bashkëpunuar me forcat ndërkombëtare kanë mbetur në Afganistan, prandaj mund të jenë në rrezik nga talibanët.

“Kontakti operacional me talibanët është i nevojshëm për t’i nxjerrë njerëzit. NATO-ja ka arritur që ta evakuojë shumicën e stafit që ka punuar për ne, por ende ka shumë njerëz që kanë mbetur dhe ne do të vazhdojmë të punojmë për t’i larguar”, tha shefi i NATO-s.

Ai paralajmëroi që të mos pritet njohja e shpejtë e qeverisë së talibanëve, më shumë se dy javë pasi militantët e morën nën kontroll kryeqytetin Kabul dhe i dhanë fund luftës 20-vjeçare.

Stoltenberg gjithashtu tha se ende është shumë herët për ta gjykuar emërimin e Mullah Baradar-it si shef i qeverisë së re të Afganistanit.

“Duhet t’i gjykojmë në bazë të veprimeve, jo në bazë të fjalëve të tyre. Do t’i mbajmë përgjegjës për premtimet që kanë dhënë – për të mos lejuar që Afganistani të bëhet strehë e terroristëve ndërkombëtarë, për të drejtat e njeriut, sidomos për të drejtat e grave, dhe për qarkullimin e lirë”, shtoi Stoltenberg.

Ai tha se NATO-ja do ta përdorë fuqinë e vet politike, diplomatike dhe financiare ndaj udhëheqësve të rinj të Afganistanit. 

(Kosova Sot Online)