Konjufca: Nëse do të pyetesha unë, do t’i shtyja zgjedhjet

  • A.P /
  • 06 September 2021 - 23:38
Konjufca: Nëse do të pyetesha unë, do t’i shtyja zgjedhjet

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka vlerësuar se, bazuar në gjendjen pandemike që po mbizotëron në Kosovë, do duhej të shtyheshin zgjedhjet lokale, të përcaktuara të mbahen më 17 tetor.

Konjufca ka thënë se ndonëse presidentja Vjosa Osmani vendimin për zgjedhjet e merr në përputhshmëri me vendimet e IKSHPK’së, opinion i tij personal është që të shtyhen zgjedhjet.

“Kjo nuk varet prej meje [shtyrja e zgjedhjeve] por nëse do të thoja mendimin tim personal unë mendoj që zgjedhjet do të duhej të shtyheshin”, ka deklaruar ai.

“Sa i përket shtyrjes së zgjedhjeve mendoj që është kompetencë e presidencës. Por me sa di unë presidentja vendimin e saj e merr pas rekomandimit të IKSHPK’së”, ka shtuar tutje kryekuvendari.

Tutje, kreu i Kuvendit ka përmendur edhe fushatën derë-më-derë si dhe çështjen e mënyrës së kërkimit të votes nga kandidatët për asambleistë, që sipas tij mund të shkaktojë pikun e pandemisë.

“Unë po të garantoj që nëse mbahen zgjedhjet edhe nëse ka me pasë fushatë, sado e shkurtë ajo, qe në formën e vet të shkurtuar, unë mendoj që partitë politike kanë me zgjedhë metodën e futjes nëpër familje. Kemi me mijëra asambleistë që e lypin votën individuale, unë ma merr mendja që në mes të nëntorit mund ta arrijmë numrin e pikut. Prapë kemi me ardhë në pik në numrin më të madh të rasteve”, ka thënë ndër të tjera ai.

(Kosova Sot Online)