Oda e Hotelerisë kërkon që orari i gastronomisë të zgjatet deri në ora 23:00

  • A.P /
  • 08 September 2021 - 16:20
Oda e Hotelerisë kërkon që orari i gastronomisë të zgjatet deri në ora 23:00

Oda e Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës ka reaguar pas deklaratës së Arben Vitisë i cili në një konferencë për media tha se nuk do të ketë lirim të masave edhe pas 13 shtatorit.

Kryetari i kësaj ode Hysen Sogojeva bashkë me të gjithë përfaqësuesit dhe anëtarët e saj kërkojnë që nga data 13 shtator të lirohen masat për hotelieri dhe gastronomi.

Ata kanë kërkuar nga ministri Arben Vitia që të lirohen masat dhe bizneseve të hotelerisë dhe gastronomisë t’iu zgjatet orari i punës.

“Duhet të theksojmë se përderisa bizneset e hotelerisë dhe gastronomisë si dhe gjitha sektoret e tjera nuk kanë përfituar as edhe një pako ndihmëse nga qeveria kërkesat tona janë që të lirohen masat dhe këto sektore të jenë të hapura deri në orën 23:00. Gjithashtu, OHTK që nga fillimi ka qenë kundër orës policore prandaj nuk është e arsyeshme që të vazhdohet akoma me të”.

“Oda e Hotelerisë dhe Turizmit me të gjithë anëtarët e saj nuk janë kundër monitorimit të bizneseve, përkundrazi kërkojmë që sa më shumë të ketë kontrollë nëpër biznese, dhe në mënyrë rigoroze nga qytetarët të kërkohet dëshmia që janë vaksinuar ose testin me rezultat negativ”.

Kjo odë ka kërkuar nga ministri i Shëndetësisë që para se të merret vendimi për masat e reja të takohen për konsultim.

“Prandaj, kërkojmë nga ministri z. Vitia që para se me u merr ky vendim për vazhdimin e masave të na ftojë në takim për t’u konsultuar dhe për të gjetur një bashkëpunim rreth kësaj situate në mënyrë që të kemi masa dhe t’i respektojmë por në anën tjetër përderisa nuk ka subvencionime të bizneseve ato duhet të punojnë dhe mos të pengohen!”.

(Kosova Sot Online)