Si u paralajmërua para tri javësh tragjedia në Tetovë

  • G.G /
  • 09 September 2021 - 10:24
Si u paralajmërua para tri javësh tragjedia në Tetovë

Gjatë natës së mbrëmshme në spitalin e Tetovës ndodhi një shpërthim i madh, duke ndikuar që të ketë edhe viktima dhe shumë pacientë të plagosur.

Ky shpërthim ndodhi në spitalin ku po trajtoheshin të prekurit me virusin covid-19, teksa raportohet se para dy jave në të njejtin spital janë prerë tubat e oksigjenit.

Një gjë të tillë e konfirmoi edhe gazetari Seladin Xhezari, i cili theksoi se është e vërtet që janë dëmtuar tubat e oksigjenit dhe se kjo mund të ketë ndikuar në përhapjen e zjarrit.

“Burime të brendshme dhe dëshmitarë okular tregojnë se ka pasur një zjarr të madh dhe nuk u ka dhënë hapësire punonjësve të ikin. Zjarri ka qenë i papritur. Dyshohet se kanë shpërthyer bombolat e gazit. Shpërthimi ka ndodhur diku rreth orës 21:02. Deri në shpërthim raportohet se ka pasur 24 apo 26 të punësuar në këtë spital. Raportohet se 4-5 persona kanë mundur të dalin nga spitali COVID. “, tha Xhezari.

“Më 23 gusht ka pasur një përpjekje sabotimi dhe ka pasur dy dëmtime të tubave që çojnë oksigjen dhe ajër në këtë spital. Nuk është zbardhur se kush dhe pse u dëmtuan dy tubat. Në atë kohë numri i viktimave do të kishte qenë më i lartë.”, shtoi gazetari Xhezari.

Organet e hetuesisë ende janë duke u marrë me zbardhjen e rastit.

E për këtë rast ishte raportuar edhe më herët, shkruan Syri.net Kosova.

Më datë 23 gusht, rreth orës 7 të mëngjesit, u tentua shkëputja e gypave që furnizojnë me oksigjen spitalin klinik të Tetovës por për fat të mirë, personi apo personat e dyshuar, kanë arritur të shkëpusin vetëm dy gypa që nuk kanë qenë furnizuar të kovid qendrave por të sallave të operacionit tek klinika e re, të cilat ende nuk janë në funksion.

Tetë ditë më pas tentimit të dëmtimit të gypave të oksigjenit të spitalit të Tetovës, pjesëtarë të Sektorit për punë të brendshme të Tetovës, kanë arritur të arrestojnë një të dyshuar për përfshirje në vepër penale.

Fjala është për personin A.R. 42 vjeç nga fshati Zhelinë i Tetovës, i cili është i dyshuar si pjesëmarrës në rastin e tentimit për të dëmtuar furnizimin me oksigjen të të sëmurëve me kovid në spitalin klinik të Tetovës, të ndodhur më datë 23 gusht.

Nga Sektori për Punë të Brendshme Tetovë kanë njoftuar se  deri tek arrestimi i të njëjtit ka ardhur pas bisedimeve të zhvilluara me rojet e spitalit dhe pjesëtarë të tjerë të spitalit, si dhe pronarëve të shtëpive për rreth spitalit. 

Ndërkaq, deri më tani Ministria e Shëndetësië së Maqedonisë së Veriut ende nuk ka një numër të saktë të viktimave që humbën jetën nga zjarri që shpërtheu në spitalin Covid në Tetovë.

Për momentin janë dhjetë viktima, konfirmoi Ministria, dhe shtoi se numri mund të rritet.

Derisa, jo zyrtarisht, 12 persona janë nxjerrë të gjallë nga Spitali Modular dhe janë dërguar për shërim nëpër institucione te ndryshme shëndetësore, përfshirë edhe Qendrën Klinike në Shkup.

Gjithashtu mësohet se gjendja e tyre shëndetësore është stabile dhe se të lënduarit janë jashtë rrezikut për jetën.

Ndërkohë, 5 prokurorë janë dërguar për të hetuar mbi shkaqet dhe pasojat e zjarrit në spital, që mori përmasa të mëdha mbrëmjen e së mërkurës. 

(Kosova Sot Online)