Dy djem e rrahin brutalisht adoleshentin me autizëm, ia vjedhin këpucët

  • E.K /
  • 09 September 2021 - 11:10
Dy djem e rrahin brutalisht adoleshentin me autizëm, ia vjedhin këpucët

Një adoleshent me autizëm u rrah brutalisht nga shokët e tij të klasës javën e kaluar në Shkollën e Mesme “Howell” në Michigan të ShBA-së. Pamjet janë publikuar në internet.

Një person që qëlloi afër incidentit e incizoi ngjarjen me telefon. Materiali tashmë po përdoret nga autoritetet në hetimet për rastin, shkruan Fox News.

Në video shihen dy nxënës duke e rrahur adoleshentin me autizëm. Viktima dëgjohet duke bërtitur nga dhimbjet përderisa grushtohet dhe goditet me shqelma para se dy dhunuesit t’ia vjedhin këpucët.

“Si shkollë dhe si distrikt, ne nuk e tolerojmë këtë lloj të sjelljes. Shkolla e ka filluar procesin disiplinor sipas rregullores për nxënës dhe të përfshira janë edhe autoritetet për sundimin e ligjit”, thuhet në deklaratën e shkollës.

Raportohet se të dyshuarit janë treguar bashkëpunues me policinë. Mbetet e paqartë nëse ata do të trajtohen nga autoritetet si persona të rritur.

Hetuesit kanë kërkuar akuzë për sulm dhe kërkesa e tyre po shqyrtohet nga Zyra e Prokurorit në distriktin Livingston.

(Kosova Sot Online)