Dje ishte ditë e zezë për Kosovën e Maqedoninë, gjëra të tmerrshme ndodhën për një ditë të vetme

  • E.K /
  • 09 September 2021 - 12:12
Dje ishte ditë e zezë për Kosovën e Maqedoninë, gjëra të tmerrshme ndodhën për një ditë të vetme

Të shpeshta kanë qenë rastet tragjike për të cilat është raportuar brenda territorit të Kosovës, por edhe në rajon.

Por një ditë e ngjashme ishte edhe dje.

Dy fëmijë humbën jetën gjatë ditës së djeshme si pasojë e zjarrit që kaploi shtëpinë ku ndodheshin në momentet kritike, në fshatin Ujz të Komunës së Gjakovës.
Si pasojë e shpërthimit të një zjarri në shtëpinë e tyre në Ujz të Gjakovës vdiqën dy fëmijë të moshës 10 dhe 13 vjeç, të gjinisë mashkullore.

Të njëjtit ishin kushëri , kurse lëndime trupore kanë pësuar edhe tre familjarë të tjerë.

Të lënduar si pasojë e këtij zjarri janë prindërit e njërit nga fëmijët e vdekur.

Policia ka deklaruar se tashmë janë duke hetuar rastin për të zbuluar shkaqet e zjarrit që mori jetën e dy fëmijëve.

Por përpos kësaj një ngjarje e rëndë ndodhi edhe mbrëmë në qytetin e Pejës.

Për shkak të të shtënave me armë humbën jetën dy persona. Astrit Ademaj, kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Pejës si dhe Blerand Kadriaj ish-kandidat i PDK-së për kryetar të Deçanit.

Dy ish-bashkëpartiakët i dhanë fund jetës së njëri tjetrit nga të shtënat me armë, derisa i plagosur nga ky rast mbeti edhe vëllai i Astrit Ademajt, Avni Ademaj.

I njëjti raportohet të jetë plagosur në pjesën e dorës, por që pasi u konstatua se gjendja e tij shëndetësore është stabile i njëjti është arrestuar nga autoritetet e hetuesisë.

Deri më tani është raportuar se deri tek vrasja e dy ish-bashkëpartiakëve erdhi për shkak të një konflikti çasti dhe se të njëjtit nuk patën ndonjë mosmarrëveshje tjetër paraprake.

Ndërsa në bazë të burimeve theksohet se ishte Blerand Kadriaj ai që shtiu i pari me armë në drejtim të Astrit Ademajt, e më pas ishte vëllai i Ademajt i cili qëlloi me armë Kadriajn duke e lënë kështu pa shenja jete.

Mjeku kujdestar në Spitalin e Pejës deklaroi se të dy viktimat ishin dërguar pa shenja jete në spitalin e këtij qyteti.

Lidhur me këtë rast pati reagime të shumta nga drejtuesit e vendit, si dhe nga vetë partia e cila drejtohet nga Memli Krasniqi.

PDK janë shprehur të tronditur nga kjo ngjarje ndërsa kanë ngushëlluar familjarët dhe miqtë e Ademajt dhe Kadriajt.

Përpos PDK-së reagime pati edhe nga kryeministri Albin Kurti, presidentja Vjosa Osmani, kryeparlamentari Glauk Konjufca e kryetarë të shumtë komunash.

Të njëjtit ngushëlluan familjarët dhe kërkuan nga hetuesia që sa më parë të hetojnë rastin dhe që autorët të dalin para organeve të rendit.

Qyteti i Pejës për vite me radhë është përballur me ngjarje të ngjashme, rrahje e vrasje të cilat shpesh herë ngritnin edhe pasigurinë e qytetarëve për të jetuar në këtë vend. Por vitet e fundit në Pejë pati një qetësi të përgjithshme dhe poashtu një rënie të rasteve që kanë të bëjnë më vrasjet.

Por dita e djeshme vazhdoi me lajme të kobshme edhe në mbrëmjen e vonshme.

Një ngjarje e rëndë ndodhi edhe në qytetin e Tetovës, ku dhjetëra persona humbën jetën si pasojë e një zjarri që kaploi spitalin ku po trajtoheshin pacientët e prekur me COVID-19.

Zjarri që kaploi këtë spital mori jetën e shumë qytetarëve e dëmet ishin jashtëzakonisht të mëdha.

Deri më tani nuk dihet se si erdhi deri tek zjarri që kaploi qytetin, por që numri i viktimave ishte vazhdimisht në rritje e sipër.

Në mesin e viktimave raportohet të ketë edhe të rinj, një prej tyre 20 vjeçare.

(Kosova Sot Online)