Tre minutat e ferrit: Videoja se si shpërtheu zjarri në Tetovë

  • E.K /
  • 10 shtator 2021 - 14:54
 Tre minutat e ferrit: Videoja se si shpërtheu zjarri në Tetovë

Është publikuar video e momentit kur ka shpërthyer zjarri që ka përfshirë spitalin modular për trajtimin e personave me COVID-19 në Tetovë.

Në videon e publikuar në rrjete sociale, shihen persona duke u larguar, pak para se zjarri të shpërthente në tërë hapësirën.

Po ashtu, derisa zjarri kishte kapluar pjesën brenda spitalit, shihen persona duke dalë nga dritarja për të shpëtuar nga zjarri.

Pas pak sekondash, zjarri shpërthen dhe kaplon komplet spitalin modular ku po trajtoheshin personat me COVID-19 në Tetovë.

Ndryshe, nga zjarri që ka shpërthyer mbrëmjen e së mërkurës në Tetovë, 14 persona kanë mbetur të vdekur dhe 12 të lënduar.

Nga Ministria e Shëndetësisë është bërë e ditur se në momentin e shpërthimit të zjarrit, kanë qenë të shtrirë 26 pacientë.

“Në momentin e shpërthimit të zjarrit kishte gjithsej 26 pacientë në qendrën COVID-19; 12 të tjerët po trajtohen në spitalin e Tetovës dhe janë jashtë rrezikut. Asnjë punonjës shëndetësor nuk u lëndua rëndë, po ka disa me lëndime të lehta”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.

Paraprakisht, kjo është bërë e ditur nga Prokuroria Publike e Shkupit, e cila në bashkëpunim me Prokurorinë Publike të Tetovës kanë kryer gjatë natës hetime në vendin e ngjarjes.

Për shkak të lëndimeve të rënda, disa viktima do t’u nënshtrohen analizave të ADN-së.

“Në bashkëpunim me pjesëtarët e Ministrisë së Brendshme, po vazhdojnë hetimet për zbardhjen e rastit. Prokurorët kanë lëshuar urdhër për identifikimin e trupave të 14 personave të vdekur nga zjarri. Disa nga të vdekurit do të kenë nevojë për analiza të ADN-së për të përcaktuar identitetin e tyre”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

(Kosova Sot Online)