Kushti që duhet ta plotësojnë kosovarët për të hyrë në Zvicër nga e hëna

  • S.A /
  • 11 September 2021 - 08:25
Kushti që duhet ta plotësojnë kosovarët për të hyrë në Zvicër nga e hëna

Zvicra do të shtrëngojë masat për turistët nga Kosova. Siç ka njoftuar Ambasada e Zvicrës në Kosovë, nga e hëna, për të hyrë në Zvicër kriter i domosdoshëm është vaksinimi anti-COVID.

Qytetarët e pavaksinuar do të lejohen vetëm në situata “ekstremisht të domosdoshme”. Sipas Sekretariatit të Shtetit për Migrim, kjo ka të bëjë vetëm me rastet e vdekjeve, paraqitjet gjyqësore apo vizitat urgjente. Masa nuk vlen për shtetasit kosovarë që kanë lejeqëndrim të përhershëm në Zvicër.

Masat e njëjta si për turistët nga Kosova vlejnë edhe për turistët nga Maqedonia e Veriut.

Zvicra po shtrëngon masat ndaj shteteve të Ballkanit pasi pas pushimeve të verës spitalet për COVID-19 në këtë shtet u mbushën me kosovarë e qytetarë të tjerë të huaj. Shumica dërrmuese e pacientëve ishin të pavaksinuar.

Pas përfundimit të pushimeve, autoritetet zvicerane apeluan nëpërmjet mjekëve shqiptarë atje te qytetarët që të vaksinohen.

(Kosova Sot Online )