Paralajmërimi i kryeministri britanik: Bëhuni gati për valën e dimrit

  • G.G /
  • 11 September 2021 - 11:54
Paralajmërimi i kryeministri britanik: Bëhuni gati për valën e dimrit

Kryeministri britanik, Boris Johnson, pritet të paralajmërojë javën e ardhshme që Anglia duhet të futet në një dimër “të paqartë” e përgatitur plotësisht për një valë të re të pandemisë. Ai pritet të prezantojë një plan për ta shmangur mbylljen e sërishme të shkollave dhe kafeneve.

Në plan pritet të përfshihen masa si kthimi i disa kufizimeve në nivel kombëtar si respektimi i distancës sociale ose përdorimi i maskave. Këto masa do të hynin në fuqi vetëm në rast të rritjes së numrit të rasteve dhe hospitalizimeve në atë masë që nuk e përballon sistemi shëndetësor.

Pritet që Johnson të martën ta publikojë planin e tij për shmangien e izolimit t ëplotë, përfshirë ofrimin e dozës së tretë të vaksinës për grupe të caktuara të popullatës dhe fushatën më të madhe ndonjëherë kundër gripit. Të dyja proceset e vaksinimit do të kryhen paralelisht, shkruan The Guardian.

Burimet qeveritare thanë që besojnë se doza e tretë e vaksinës do të rekomandohet vetëm për të moshuarit dhe personat e ndjeshëm në fazën e parë, por shtuan se stafi shëndetësor do të jetë i gatshëm, nëse këshilltarët e miratojnë dozën e tretë edhe për grupmosha tjera.

Johnson pritet të njoftojë edhe për fillimin e përdorimit të të ashtuquajturave pasaporta të Covid-it, të cilat do të shërbejnë për lejimin e hyrjes në vende me shumë njerëz si klubet e natës.

Për më tepër, zyrtarët e lartë shëndetësorë të Britanisë pritet që javën e ardhshme ta japin dritën e gjelbër për vaksinimin e fëmijëve të moshës 12 deri 15-vjeçare.

(Kosova Sot Online)