Studentët obligohen të paraqesin certifikatën e vaksinimit apo testin për COVID-19 për t’u regjistruar në konvikt

  • E.K /
  • 12 September 2021 - 16:47
 Studentët obligohen të paraqesin certifikatën e vaksinimit apo testin për COVID-19 për t’u regjistruar në konvikt

Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia, ka prezantuar sot disa nga masat e reja të cilat po merren në kuadër të luftës ndaj koronavirusit.

Sipas tij, me këto masa afektohen edhe studentët, të cilët duan të regjistrohen në konvikte, ku të njëjtit duhet të paraqesin dëshmi.

”Studentët në mënyrë që t’ju mundësohet regjistrimi në konvikt, duhet të posedohet njërën nga dëshmitë e cekura: certifikata e vaksinimit, testi real time PCR apo testi serologjik. Studentët në institucionet publike dhe universitare duhet të posedojnë njërën nga dëshmitë e cekura, në mënyrë që t’ju lejohet hyrja në objektin e institucionit”, tha Vitia.

Vitia përmes një konference për media tha se këto masa mund të ndryshojnë edhe gjatë kohës sa janë në fuqi, varësisht nga situata në terren.

“Pas shumë diskutimeve është vendosur të vazhdojnë edhe dy javë të tjera, një pjesë do të shtohen ashtu siç kemi paralajmëruar në vendim. Aktiviteti mësimor në institucionet publike dhe private të arsimit parauniversitar, duke përfshirë edhe institucionet e arsimit parashkollor dhe të qëndrimit ditor pezullohet deri me datë 26 shtator 2021. Ky pezullim vlen edhe për aktivitetin mësimor me prezencë fizike në institucionet publike dhe private të arsimit universitar.Për familjet me fëmijë të regjistruar në institucione parashkollore dhe me dy prindër të punësuar (ose qe ka vetëm një prind dhe ai prind është i punësuar), njëri prind lirohet nga obligimi për t’u paraqitur fizikisht në punë gjatë periudhës 13 – 26 shtator 2021 “, tha Vitia.

Tutje ai tha se nuk do të hiqet ora policore dhe se kufizimi i qytetarëve do të vazhdojë nga ora 22 deri në ora 5.

(Kosova Sot Online)