Gjykata sot pritet të marrë vendim për ish-policin që akuzohet për vrasje të rëndë

  • G.G /
  • 13 shtator 2021 - 10:46
Gjykata sot pritet të marrë vendim për ish-policin që akuzohet për vrasje të rëndë

Gjykata Themelore në Gjilan sot pritet të marrë vendim për ish-policin Vllaznim Hamdja, i cili akuzohet se ka vrarë tani të ndjerin Lulzim Spahiun.

Në seancën e fundit të mbajtur më 8 shtator, prokurori Isuf Sadiku dhe mbrojtësja e familjes së dëmtuar, avokatja Vlora Kadriu, kanë kërkuar dënim maksimal ndaj të akuzuarit.

Ndërsa, avokati i të akuzuarit, Ymer Huruglica ka kërkuar që ndaj të akuzuarit të bëhet rikualifikimi i veprës penale në dy mundësi “tejkalimi i mbrojtjes së nevojshme” apo “vrasje në gjendje të tronditjes së rëndë mendore”.

Shpallja e vendimit për këtë rast do të bëhet sot nga ora 13:15.

Në aktin akuzues thuhet se pas aksidentit, Hamdija del nga vetura dhe pas një mosmarrëveshje lidhur me aksidentin në mes tij, viktimës dhe djalit të viktimës, Blend Spahiu, i njëjti e nxjerr armën zyrtare nga brezi.

Aty thuhet se dëshmitarja Miradije Halili dhe Besnik Limoni përpjeken që ta ndalojnë të mos gjuajë me armë, pasi viktima hyn në kamion dhe e mbyll derën, i akuzuari afrohet tek dera e kamionit ku dritarja ishte hapur dhe shkrep në drejtim të viktimës, duke e goditur atë në pjesën nën vetullën e syrit të djathë, ku viktima vdes në vendin e ngjarjes.

Për këto veprime ai akuzohet se ka kryer veprën penale “vrasje e rëndë” nga neni 173, paragrafi 1, nënparagrafi 1.5 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me jo më pak se dhjetë vjet burgim ose me burgim të përjetshëm.

Tutje, sipas dispozitivit të dytë të aktit akuzues, i akuzuari në kundërshtim me ligjin për armët, ka mbajtur armë në pronësi, kontroll ose posedim dhe atë dy pistoleta të llojit “Bereta”, ku njëra është gjetur në dollapin e ulëses së parë të pasagjerit në veturën e tij, bashkë me mbi 50 fishekë, kurse gjatë bastisjes në shtëpinë e tij, janë gjetur edhe 7 karikatorë të armës zyrtare dhe 76 fishekë, të cilat armë dhe municion janë konfiskuar nga Policia e Kosovës.

Për këtë ai akuzohet se ka kryer veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 paragrafi 1, të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me gjobë deri në shtatëmijë e pesëqind euro ose me burgim deri në pesë vjet.

Kurse në dispizitivin e tretë të aktakuzës, Hamdija akuzohet se më 29 dhjetor 2019, pas mesnate, në restorantin “ELMA” në fshatin Malishevë, ka përdorë armën, në atë mënyrë që derisa ishte duke dëgjuar muzikë folklorike dhe duke pirë pije alkoolike, nxjerrë pistoletën e llojit “Bereta”, e cila është me gaz, dhe me të njëjtën shkrep disa herë në brendësi të restaurantit, në drejtim të tokës.

Me këto veprime, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, nga neni 367, paragrafi 1 e 3 të Kodit Penal, vepër e cila dënohet me burgim prej një deri në tetë vjet. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

(Kosova Sot Online)