Kurti: T’u garantojmë mirëqenie dhe të ardhme fëmijëve tonë

  • E.K /
  • 13 shtator 2021 - 18:00
Kurti: T’u garantojmë mirëqenie dhe të ardhme fëmijëve tonë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në ceremoninë e përurimit të spitalit të fëmijëve “Sheikha Fatima”, në hapësirat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, ndërtimi i të cilit u financua nga Emiratet e Bashkuara Arabe.

Në fjalën e rastit kryeministri Kurti tha se konsiderata që kemi për fëmijët, tregon se çfarë të ardhme do të ketë shteti e shoqëria jonë.

“Prandaj do të angazhohemi të gjithë së bashku që fëmijëve t’u garantojmë mirëqenie dhe të ndërtojmë të ardhmen që ata e meritojnë”, tha ai.

Kryeministri falënderoi Emiratet e Bashkuara Arabe për investimin në ndërtimin e spitalit modern pediatrik-kirurgjik dhe presidenten Atifete Jahjaga për angazhimin e saj dhe të gjitha ekipet që me përkushtim, ndër vite kanë punuar për realizimin e këtij projekti.

“Ky projekt humanitar i mundësuar nga Lartmadhëria e saj, Sheikha Fatima bint Mubarak, përveç përmirësimit të jetës se fëmijëve dhe familjeve të Kosovës, është dëshmi konkrete e miqësisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, midis institucioneve dhe popujve të  të dyja vendeve”, tha kryeministri Kurti.

Në ceremoninë e përurimit kanë marrë pjesë Presidentja e Republikës së Kosovës,Vjosa Osmani,  Drejtori i Departamentit të Shëndetësisë në Abu Dhabi, Sheikh Abdulla bin Mohammed bin Butti Al Hamed, Ministri i Shtetit Dr. Maitha bint Salem Al Shamsi, Ambasadorja e Emirateve të Bashkuara Arabe në Republikën e Kosovës, Nabila Alshamsi dhe Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ish-presidentja Atifete Jahjaga, zyrtarë të tjerë shëndetësorë, mjekë, infermierë etj.

(Kosova Sot Online)