Zbulohen detaje për arratisjen e Lushtakut dhe të tjerëve nga QKUK

  • G.G /
  • 14 September 2021 - 10:01
Zbulohen detaje për arratisjen e Lushtakut dhe të tjerëve nga QKUK

Ish-drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës (SHKK), Sokol Zogaj, ka thënë se nga i akuzuari Emrush Thaçi ishte njoftuar se Sami Lushtaku dhe dy të tjerët që ishin të hospitalizuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, më nuk ishin në mbikëqyrjen e oficerëve.

“Unë kam dëgjuar nga drejtori i qendrës së paraburgimit në Prishtinë, zotëri Emrush Thaçi që prej këtij momenti këta persona nuk janë nën mbikëqyrjen e oficerëve të shërbimit korrektues”, tha Zogaj.

Ai deklaroi se pas kësaj, mediet e kishin pyetur dhe duke u bazuar në deklaratën e drejtorit Thaçi ai u kishte thënë se personat janë arratisur nga QKUK-ja.

“Unë iu kam thënë decidivisht se “ata janë arratisur nga spitali”, tha Zogaj.

Një deklaratë të tillë, Sokol Zogaj e ka bërë  të hënën në cilësinë e dëshmitarit në seancën e rigjykimit në rastin ku Emrush Thaçi dhe Nexhib Shatri po akuzohen për arratisjen e tre të paraburgosurve,  Sami Lushtakut, Sahit Jasharit dhe Ismet Haxhës, të cilët ishin duke u trajtuar si pacientë në QKUK.

Duke u përgjigjur në pyetjet e prokurores speciale Florije Shamolli, Zogaj tha se më 2014, kur kishte ndodhur arratisja nga QKUK-ja, ai e kishte pasur pozitën e zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm të ShKK-së, i cili kishte pasur për detyrë që të ndikojë ose të organizojë që siguria në burgje të jetë në nivelin e duhur, raporton ‘Betimi për Drejtësi’.

Detyra të tjera të tij ishin organizimi i trajnimeve profesionale për siguri, kërkesa për ministrinë që të ndahet buxhet i mjaftueshëm për siguri, të interesohet për resurset humane për shërbimin korrektues të Kosovës e që ndërlidhet me sigurinë e burgjeve, e të tjera.

Zogaj deklaroi se për kategorizimin e të paraburgosurve ishte hartuar një rregullore në bazë të së cilës është punuar dhe se sipas tij personat që dyshoheshin për krime lufte kategorizoheshin me rrezikshmëri të lartë.

Ai tha se prokuroria e EULEX-it u dërgonte emrat e personave të cilët duheshin të kategorizoheshin dhe që sipas tij me sa i kujtohej edhe për Sami Lushtakun kishte pasur kategorizim.

“Meqë të gjitha rastet që dyshoheshin për krime lufte janë udhëhequr nga ana e gjyqtarëve të EULEX-it dhe në bazë të atij veprimi të EULEX-it kemi vepruar ne dhe në bazë të rregullores”, tha ai.

Vendimet për sistemimin e personave të dënuar sipas Zogaj, në atë kohë i merrte SHKK-ja ndërsa, vendimet për sistemimin e personave të paraburgosur i kishte marrë gjykata.

Zogaj tha se për rastin që kishte ndodhur më 20 maj 2014, gjykatësi i EULEX-it kishte marrë një vendim për transferimin e të burgosurve nga Qendra e Paraburgimit në Dubravë, në Qendrën e Paraburgimit në Mitrovicë.

“Mua sa më kujtohet, ka qenë një vendim i gjykatësit të EULEX-it që ata të transferohen në Qendrën e Paraburgimit në Mitrovicë, pastaj kush e ka ndërruar vendimin nuk e di, ndoshta ka qenë prokurori Jonatan , unë këtë nuk e di”, tha ai.

Sipas të njëjtit, kjo qendër është menaxhuar nga SHKK me vështirësi dhe në të nuk ka pasur oficerë shqiptarë, me ç’rats për shkaqe sigurie edhe të paraburgosurit dhe të burgosurit e nacionaliteti shqiptar, nuk janë dërguar në këtë qendër për shkaqe sigurie.

Për këtë ai tha se SHKK kishin reaguar që të mos bëhej transferimi, por që sipas tij edhe nëse merrej vendimi nga gjykata, mbikëqyrja në qendrën e paraburgimit në Mitrovicë të bëhet nga oficerët shqiptarë, dhe kjo qendër të kontrollohet nga ana e KFOR-it.

“Pra neve kemi reaguar rreptësisht që të mos transferohen, por edhe nëse merr vendim gjykata që të transferohen ne kemi kërkuar që oficerët shqiptarë ta bëjnë mbikëqyrjen në qendrën e paraburgimit në Mitrovicë, njëherit kjo qendër të kontrollohet nga ana e KFOR-it dhe familjarët që shkojnë në vizita t’i përcjell policia jonë deri në qendër dhe anasjelltas”, tha Zogaj

Ai deklaroi se më vonë prokurori i EULEX-it, Jonatan Racell, e kishte thirrur atë së bashku me ministrin e Drejtësisë, Hajredin Kuçin, drejtorin e Përgjithshëm të SHKK-së, Shemsi Hajrizin,  drejtorin e Qendrës së Paraburgimit në Prishtinë, Emrush Thaçin, gjykatësi i EULEX-it, të cilët sipas dëshmitarit, i kishte njoftuar se ai do ta marrë rastin dhe se të tjerët mund të largoheshin nga vendi i ngjarjes.

Në pyetjen e prokurores Shamolli “kur thuani se prokurori Racell tha se unë e marrë komandën, a kishin vërejtje ata në punën e juaj, a ju dhanë ndonjë sqarim për këtë”, dëshmitari Zogaj u përgjigj “ai nuk u deklarua dhe ne nuk e pyetëm pasi që ishte ministri i Drejtësisë aty”.

Dëshmitari Zogaj ka theksuar se në qendrat e paraburgimit si dhe në QKUK, nuk ka pasur siguri, pasi që nuk kishte pasur dhoma të veçanta me grilla dhe se edhe para se i akuzuari Thaçi të ishte drejtor i Qendrës së Paraburgimit në Prishtinë, personat e paraburgosur dhe të dënuar kishin arritur të largoheshin nga QKUK-ja.

Sa i përket ikjes edhe në qendrën e paraburgimit, ai tha se QKUK asnjëherë nuk ka pasur siguri, ngase nuk kishte dhoma të veçanta me grilla  dhe sipas tij, nga QKUK-ja më herët disa herë janë larguar personat e paraburgosur e të dënuar.

“Kjo ka ndodh edhe në qendrat e paraburgimit në Pejë, Prishtinë, Prizren etj. Jo, derisa ka qenë drejtor i Qendrës së Paraburgimit në Prishtinë zotëri Emrush Thaçi por edhe më herët”, tha ai.

Zogaj ka shtuar se kishte pasur ikje masive në vitet 2003-2004 në qendrën e paraburgimit në Mitrovicë gjatë kohës së  administrim të UNMIK-ut por që sipas tij, askush nuk është përgjigjur për këto raste.

Tutje Zogaj ka thënë se në qendrën e paraburgimit në Prishtinë nuk ka pasur oficerë të mjaftueshëm të sigurisë dhe se të njëjtit kishin bërë disa herë kërkesa për rekrutim.

“Me vetë faktin që për çdo vit kemi kërkuar që të pranohen më shumë staf, kjo nuk nënkupton vetëm për uniformë por edhe për shërbime të tjera, në pjesën më të madhe janë përgjigjur se nuk ka buxhet”, tha ai.

Për të siguruar praninë e një të paraburgosuri të rrezikshmërisë së lartë sipas dëshmitari duhet të ketë më shumë sesa për kategori të tjera dhe se ai tha se ata zakonisht kanë dërguar dy oficerë për një të paraburgosur.

Sipas Zogajt, kompetent  për të vendosur lidhur me numrin e oficerëve është drejtori i asaj qendre të paraburgimit, por siç tha ai kjo varet nga nga numri i stafit.

Në pyetjen e avokatit mbrojtës të akuzuarit Thaçi, Eset Berisha “në shkresat e lëndës prokurori Ratell ka deklaruar se nuk ka pasur arratisje, a e ka thënë këtë në atë takimin e juaj?”, dëshmitari Zogaj u përgjigj ”nuk më kujtohet që ka thënë”.

Meqenëse ishte fundi i orarit të punës, seanca është ndërprerë për të vazhduar më 13 tetor, ku do të merrte në pyetje dëshmitari nga ana e trupit gjykues.

Ndryshe, ky rast më parë është gjykuar nga gjykatësi Shashivar Hoti, por pasi ka ndërruar jetë, rasti ka kaluar tek gjykatësit Kuçi.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 4 prill 2020 kishte shpallur aktgjykimin në rastin e arratisjes së ish-kryetarit të Komunës së Skenderajt, Sami Lushtakut dhe të tjerëve nga Qendra Klinike dhe Universitare e Kosovës (QKUK), e cila kishte ndodhur në vitin 2014, derisa Lushtaku po merrte trajtim shëndetësor, në kohën kur ndodhej në paraburgim në rastin “Drenica”.

Për këtë arratisje nga QKUK, gjykata e kishte liruar nga akuza Lushtakun, por e kishte dënuar me 12 mijë euro gjobë për dy arratisje të tjera që kishin ndodhur me 21 gusht 2015 dhe më 22 shtator 2015.

Përveç Lushtakut, me nga 1 mijë euro gjobë ishin dënuar edhe gardianët të cilët kishin qenë në përcjellje të Lushtakut, Ylber Blakaj, Gëzim Ahmeti dhe Xhevdet Zena.

Ndërsa të gjithë të akuzuarit tjerë, përfshirë edhe djalin e Lushtakut, Mërgim Lushtakun si dhe Emrush Thaçi, Shemsi Hajrizi, Sami Gjoka, Nexhip Shatri, Ismajl Dibrani, Agim Ukaj, Ismet Haxha, Dardan Geci, Bashkim Dervisholli, Valon Behramaj dhe Argjent Behramaj, ishin liruar nga akuza.

Por, aktgjykimi ndaj të akuzuarit Thaçi dhe Shatri është anuluar nga Gjykata e Apelit.

“Gjykata e Apelit e ka anuluar aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë sa i përket pjesës liruese për pikat 1 dhe 2 për të akuzuarin E.Th. për dy vepra penale “keqpërdorimi i pozitës apo i autoritetit zyrtar”, dhe për të akuzuarin N.Sh. në pikën 14, për vepër penale “keqpërdorimi i pozitës apo i autoritetit zyrtar”, “falsifikim i dokumentit” dhe “lehtësim i arratisjes së personave të privuar nga liria”, dhe për pikën 15 për vepër penale “Keqpërdorimi i pozitës apo i autoritetit zyrtar”. Çështja penale për këto pika është kthyer ne rigjykim”, thuhej në komunikatën e Gjykatës së Apelit.

Për dy raste të keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar po akuzohet i pandehuri Thaçi, ndërsa për një vepër të kësaj natyre po akuzohet i pandehuri Shatri, i cili po dyshohet edhe për kryerjen e veprës penale “falsifikim i dokumentit” dhe veprës penale “lehtësim i arratisjes së personave të privuar nga liria”.

(Kosova Sot Online)