Ky vend do t’ua ofrojë dozën e tretë personave mbi moshën 50-vjeçare

  • E.K /
  • 14 September 2021 - 15:15
Ky vend do t’ua ofrojë dozën e tretë personave mbi moshën 50-vjeçare

Autoritetet shëndetësore në Britaninë e Madhe thanë të martën se kanë rekomanduar që dozën e tretë të vaksinës kundër Covid-19 ta marrin personat e ndjeshëm, stafi shëndetësor që është në vijën e frontit dhe njerëzit mbi moshën 50-vjeçare.

Rekomandimi i Komitetit për Vaksinim dhe Imunizim për dozën e tretë gjashtë muaj pas marrjes së dozës së dytë e hap rrugën për programin e gjerë të rivaksinimit në Britani, shtet me njërën prej shkallëve më të larta të vdekjeve nga Covid-19.

Këshilla erdhi disa ditë para se qeveria britanike ta publikojë planin e vet për luftimin e përhapjes së virusit në dimrin që po vjen. Kryeministri Boris Johnson dhe zyrtarë të tjerë britanikë kanë paralajmëruar se beteja kundër virusit nuk ka përfunduar, shkruan Reuters.

Qeveria tashmë ka dhënë shenja se do t’i shfuqizojë planet për pasaporta të vaksinave, të cilat thuhej se do të kërkoheshin për të hyrë në klube nate. Për më tepër, pritet që qeveria t’i largojë disa kompetenca urgjente nga vetja dhe ta shfrytëzojë izolimin vetëm si mundësi të fundit.

“Pandemia është larg fundit, por duke iu falënderuar programit tonë fenomenal të vaksinimit, trajtimeve të reja dhe testimit, ne mund të jetojmë me virusin pa kufizime të mëdha ndaj lirisë sonë”, tha Johnson përmes një deklarate.

Ndryshe, që nga fillimi i pandemisë, Britania e Madhe ka regjistruar rreth 134.000 viktima dhe mbi 7 milionë të infektuar me koronavirus. Deri më tani, 44 milionë britanikë i kanë marrë dy dozat e vaksinës.

(Kosova Sot Online)