Në këtë komunë të Kosovës garon vetëm një parti politike

  • E.K /
  • 14 September 2021 - 16:18
 Në këtë komunë të Kosovës garon vetëm një parti politike

Në komunën e Ranillugut, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar vetëm një subjekt politik, për zgjedhjet lokale të 17 tetorit.

Në tërë komunat e Kosovës, partitë politike janë në garë për të mbledhur sa më shumë vota në zgjedhjet lokale të 17 tetorit.

Por, këtë sfidë nuk e ka Lista Serbe në Komunën e Ranillugut. Kjo pasi LS është e vetmja parti e certifikuar për të marrë pjesë në zgjedhjet e 17 tetorit në këtë komunë.

Media ka siguruar fotografi se si do të duket fletëvotimi me vetëm një parti që garon në Ranillug.

Ligji për zgjedhjet e përgjithshme dhe zgjedhjet lokale nuk i parasheh situatat e tilla, megjithatë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kishin deklaruar se ky institucion i ka përmbushur obligimet e veta Kushtetuese, duke ua mundësuar partive politike për të aplikuar për certifikim.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përmbushur detyrimet e veta Kushtetuese dhe ligjore duke iu mundësuar subjekteve politike që të aplikojnë për t’u certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale të 17 tetorit”, kishte deklaruar zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

Ndryshe, zgjedhjet lokale do të mbahen më 17 tetor të këtij viti.

(Kosova Sot Online)