​Lajçak vazhdon vizitën në Kosovë

  • G.G /
  • 16 September 2021 - 08:20
​Lajçak vazhdon vizitën në Kosovë

I ngarkuari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, vizitën e tij zyrtare në Kosovë do ta vazhdojë edhe sot me takime me krerët e institucioneve dhe me përfaqësues të biznesit.

Lajçak ditën do të na nis në orën 08:45, kur do të takohet me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufcën.

Ndërkaq, pasdite, në orën 16:00, ai do të takohet edhe me drejtues të Odës Ekonomike të Kosovës.

Diplomati sllovak dje u takua me kryeministrin e vendit, Albin Kurtin dhe me zëvendëskryeministrin, Besnik Bislimi.

Temë e takimit Kurti – Lajçak, sipas komunikatës së lëshuar nga Zyra e Kryeministrit, ishte mbarëvajtja e dialogut në Bruksel, si dhe hapat e ardhshëm në këtë proces.

Kryeministri Kurti riktheksoi se në dialog Kosova është palë e barabartë, dhe jo temë, “duhet të pranohet realiteti dhe të jemi në shërbim të qytetarëve të të dy vendeve, nëpërmjet një marrëveshjeje të qëndrueshme dhe të zbatueshme, që në qendër ka njohjen reciproke”.

U bisedua edhe për marrëdhëniet ndërmjet Bashkimit Evropian dhe shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Kryeministri Kurti konfirmoi përkushtimin e Kosovës për agjendën e BE-së, dhe perspektivën evropiane të rajonit.

(Kosova Sot Online)