Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës paralajmëron protestë para MSh-së dhe Qeverisë

  • G.G /
  • 16 September 2021 - 11:13
Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës paralajmëron protestë para MSh-së dhe Qeverisë

Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës (FSSHK), ka njoftuar se të premten do të protestohet para Ministrisë së Shëndetësisë dhe Qeverisë së Kosovës.

Protesta para Ministrisë së Shëndetësisë do të mbahet në orën 11:00, ndërkaq para Qeverisë në orën 13:00.

“Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës duke u bazuar ne vendimin e Kryesisë se FSSHK-së te datës 14.09.2021, pas diskutimit të të gjitha mundësive për reagim sindikal në përputhje edhe me situatën e krijuar me Pandeminë COVID-19 ka vendosur unanimisht të njofton publikun e gjerë si dhe institucionet relevante te qeverisjes vendore (Presidentën, Kryeministrin, Kryeparlamentarin, Ministrin e Shëndetësisë dhe Mediat) se me datë 17.09.2021 (E Premte) do mbahet PROTESTË. Protesta do të mbahet në ora 11:00-11:30 para Ministrisë së Shëndetësisë”, thuhet në njoftim.

Kërkesat e Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës për Ministrinë e Shëndetësisë janë:

• Vazhdimi i dialogut social,

• Nxjerrja e udhëzimit administrativë për shtesat mbi pagë të bazuar në Ligjin nr.07/L-006 për luftimin dhe parandalimin e Pandemisë COVID-19 në territorin e Republikës së Kosovës.

• Protesta do të mbahet në ora 13:00-13:30 në po të njejtën ditën para Qeverisë, Kuvendit dhe Presidencës.

Kërkesat e Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës për Qeverinë e Republikës së Kosovës janë:

• Ligji mbi Pagat,

• Dhe shtesat mbi pagë bazuar në Ligjin nr.07/L-006 për luftimin dhe parandalimin e Pandemisë COVID-19 në territorin e Republikës së Kosovës.

Në njoftim thuhet se, pjesëmarrës në Protestë do të jenë vetëm anëtarët e Kryesisë së FSSHK-së për shkak të situatës së krijuar me Pandeminë COVID-19.

“Njëkohësisht ju njoftojmë që Protesta jonë e ka përkrahjen nga gjitha odat e profesionistëve shëndetësor dhe shoqatat sindikale”.

(Kosova Sot Online)