Pamje: Koreja Veriore e teston sistemin me hedhje të raketave nga treni

  • G.G /
  • 16 September 2021 - 11:15
Pamje: Koreja Veriore e teston sistemin me hedhje të raketave nga treni

Raketat e testuara të mërkurën nga Koreja Veriore ishin pjesë e sistemit me hedhje nga hekurudha, raportoi të mërkurën agjencia shtetërore e lajmeve e këtij shteti, KCNA, duke publikuar edhe disa fotografi.

Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve, raketat fluturuan 800 kilometra para se ta godisnin cakun në ujërat lindore, shkruan Reuters.

Të mërkurën, autoritetet në Japoni dhe në Korenë Jugore thanë se e kanë vërejtur lëshimin e dy raketave balistike nga Koreja Veriore, vetëm disa ditë pasi shteti komunist tha se ka testuar një raketë tjetër, për të cilën analistët besojnë se mund të ketë kapacitete bërthamore.

Testimi i raketave nga Koreja Veriore nxiti shqetësime dhe reagime të komunitetit ndërkombëtar. Shtetet e Bashkuara kanë thënë se veprimet e Koresë Veriore i kanë shkelur rezolutat e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe se ato paraqesin kërcënim për vendet fqinje.

Koreja Veriore vazhdimisht e ka zhvilluar sistemin e vet të armëve bërthamore, duke e rritur peshën e bisedimeve të ngecura me Shtetet e Bashkuara, me të cilat synohej arritja e marrëveshjes për çarmatosje në këmbim të largimit të sanksioneve amerikane.

(Kosova Sot Online)