Kurti: Me Maqedoninë e Veriut ndajmë aspirata të përbashkëta për integrim në Bashkim Evropian, sot nënshkruam 11 marrëveshje bashkëpunimi

  • E.K /
  • 16 September 2021 - 18:43
Kurti: Me Maqedoninë e Veriut ndajmë aspirata të përbashkëta për integrim në Bashkim Evropian, sot nënshkruam 11 marrëveshje bashkëpunimi

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka ndarë pamje nga takimi i Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Maqedonisë së Veriut sot në Shkup.

Kurti ka bërë të ditur se janë nënshkruar 11 marrëveshje bashkëpunimi për mërgatën, turizmin, energjinë, ekonominë, ndërmarrësinë e inovacionin, sigurinë, transportin dhe bashkëpunimin ndërkufitar.

“Kjo mbledhje e parë është shprehje e vullnetit për të shënuar një etapë më intenzive të bashkëpunimit të ndërsjellë por edhe shprehje e vlerësimit për marrëdhëniet tona të mira fqinjësore” shkruan Kurti në Facebook.

Postimi i plotë:

Në mbledhjen e sotme ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, të parën në historinë e dy shteteve tona të pavarura, nënshkruam 11 marrëveshje bashkëpunimi për mërgatën, turizmin, energjinë, ekonominë, ndërmarrësinë e inovacionin, sigurinë, transportin dhe bashkëpunimin ndërkufitar.

Si dy shtete demokratike ne ndajmë aspirata të përbashkëta për integrim në Bashkim Evropian, sikurse ndajmë edhe përkushtimin për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin, padrejtësitë dhe pabarazitë në të dy anët e kufirit.

Kjo mbledhje e parë është shprehje e vullnetit për të shënuar një etapë më intenzive të bashkëpunimit të ndërsjellë por edhe shprehje e vlerësimit për marrëdhëniet tona të mira fqinjësore.

Marrëveshjet e sotme, sikurse ajo për rrugën Prizren – Tetovë dhe lidhja Brezovicë – Popova Shapkë (Kodra e diellit) dhe Rehabilitimi i tampon zonës kufitare në Han të Elezit, do të lehtësojnë jetën e qytetarëve në të dy anët e kufirit. Këtë e kemi obligim politik dhe përgjegjësi institucionale.

E rëndësisë së veçantë është marrëveshja SOFA, e cila rregullon statusin e Forcave të Sigurisë së Kosovës, që mundëson hyrjen dhe daljen, qëndrimin e përkohshëm dhe kalimin transit të FSK-së në territorin e Maqedonisë e Veriut. Kjo do të jetë e dobishme për të dy shtetet pasi siç kemi parë edhe këtë vit, FSK përtej të qenit partner e aleat i rëndësishëm ushtarak, mund të ndihmoj qytetarët edhe në operacione të shpëtimit.

Falënderoj kryeministrin Zoran Zaev për mikpritjen, ndërsa për mbledhjen e radhës do ta kem nderin ta pres në Prishtinë.

(Kosova Sot Online)