Franca ftoh raportet me ShBA-në, ambasada e saj anulon festën e përbashkët

  • G.G /
  • 17 September 2021 - 12:55
Franca ftoh raportet me ShBA-në, ambasada e saj anulon festën e përbashkët

Pas përplasjes rreth paktit trepalësh mes Shteteve të Bashkuara, Britanisë së Madhe dhe Australisë, ambasada e Francës në Uashington ka anuluar një organizim të planifikuar për shënimin e një fitoreje në luftë, e cila e kishte ndihmuar ShBA-në që ta fitonte pavarësinë, raporton CNN.

Ambasada franceze tha se festimet janë bërë më “të qeta” dhe se organizimi i planifikuar për të premten në rezidencën e ambasadorit për shënimin e 240-vjetorit të Betejës së Capes është anuluar.

“Nuk është zemërim. Nuk jemi të lumtur, por është mënyra praktike e përshtatjes së vetes. Në këtë kontekst, i kemi larguar disa gjëra nga programi, i kemi lënë disa të tjera për t’i mbajtur festimet, por nuk duam që të kemi njerëz të detyruar për të qenë së bashku”, i tha televizionit amerikan një zyrtar i lartë francez.

Vendimi për anulimin e këtij organizimi vjen vetëm një ditë pasi Shtetet e Bashkuara njoftuan për marrëveshjen me Britaninë e Madhe dhe Australinë në fushën e sigurisë. Sipas marrëveshjes, Shtetet e Bashkuara do ta ndihmojnë Australinë për të prodhuar nëndetëse bërthamore.

Franca ka reaguar ashpër, duke e cilësuar marrëveshjen si “thikë pas shpine” dhe vendim absurd të Shteteve të Bashkuara. Zemërimi i Francës lidhet me një marrëveshje paraprake me Australinë, në vlerën e 40 miliardë dollarëve, sipas së cilës një kompani franceze do të prodhonte nëndetëse për Australinë. Me paktin e ri me ShBA-në, Australia e la në baltë Francën.

Ministri i Jashtëm i Francës, Jean-Yves Le Drian, ka thënë se veprimi i presidentit amerikan, Joe Biden, është i njëanshëm dhe ia kujton ato që bënte paraardhësi i tij, Donald Trump.

(Kosova Sot Online)