S’ka takim Kurti-Vuçiq para datës 6 tetor

  • G.G /
  • 17 shtator 2021 - 15:29
S’ka takim Kurti-Vuçiq para datës 6 tetor

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha sot se nuk pritet të ketë takim me presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq, para datës 6 tetor.

Kreu i ekzekutivit të vendit tha se takimi tjetër mund të jetë në Slloveni, ku do të organizohet një Samit nga Bashkimi Evropian dhe gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor.

“Ndërmjetësi Lajçaku kësaj radhe qëndroi tri ditë në Kosovë, zakonisht ka qëndruar disa orë, ose një ditë. Ka pasur rastin më për së afërmi të kuptojë dinamikat shoqërore, situatën politike e ekonomike…besoj se ka filluar ta kuptojë më në hollësi situatën në Kosovës.

Nuk kemi biseduar tema që nuk janë përmendur në komunikatë.

Nuk do të ketë takim para 6 tetorit kur kemi Samitin në Slloveni midis Bashkimit Evropian dhe gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor. Nuk ka datë të caktuar se kur do të jetë takimi ynë i radhës.

Nuk kemi diskutuar fare për çështjen e arkivave.. Nuk kemi diskutuar për reciprocitetin, por kam treguar se liderët evropianë kanë pranuar një letër nga unë për shkeljet që po i bën Serbia.

Mungesa e marrëveshjeve për çështjen e kualifikimeve akademike, pastaj atyre profesionale të lëvizjes me ID karta, kalimit pa viza nga vendet e treta nuk ka probleme substanciale, por formale dhe janë probleme të terminologjisë. Fatkeqësisht, Serbia insiston që koncesionet që i ka fituar në Bruksel nga Qeveritë paraprake, t’i përdorë në secilin dokument rajonal dhe në mënyrë që po i vendosë në pozitë të vështirë shtetet tjera të Ballkanit Perëndimor, që kur po dalin me deklarata të përbashkëta po dalin sikur nuk bëhet fjalë për shtete sepse insiston që mos të jetë fjala shtet, qeveri, etj..

Nuk mund të vazhdoj avazi i qeverive paraprake. Për fajin e Serbisë, më datë 5 korrik nuk arritëm asnjë marrëveshje, ata nuk kanë dërguar fare asnjë vërejtje për te”, deklaroi ndër të tjera Kurti”.

(Kosova Sot Online)