Edi Rama e pranon ftesën e kryeministrit Kurti: Do ta vizitoj me shumë kënaqësi Kosovën

  • E.K /
  • 17 September 2021 - 16:12
 Edi Rama e pranon ftesën e kryeministrit Kurti: Do ta vizitoj me shumë kënaqësi Kosovën

Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur pozitivisht ftesës së homologut Albin Kurti për të vizituar Kosovën, si kryetar i qeverisë së Shqipërisë në mandatin e tretë.

Përmes një postimi në “Tëitter”, Rama ka shkruar se do ta vizitojë me kënaqësi Kosovën.

Këtë vizitë ai e paralajmëroi pas kthimin nga Asambleja e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Në ndërkohë, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i ka dërguar letër urim kryeministrit Edi Rama, me rastin e zgjedhjes për herë të tretë Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, njofton ZKM.

Kryeministri Kurti ka theksuar se ky mandat i tretë është po ashtu mundësi e tretë për të realizuar projekte të cilat kaherë priten nga shqiptarët në të dy anët e kufirit.

Ai ka shprehur gatishmërinë e tij të plotë dhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës për rritjen e bashkëpunimit ekonomik, shkëmbimit tregtar dhe integrimin e tregut, duke hequr barrierat mes shqiptarëve.

Kryeministri Kurti i uroi suksese gjatë mandatit qeverisës dhe e ftoi Kryeministrin Rama të vizitojë Kosovën për të diskutuar rreth përgatitjeve për mbledhjen e përbashkët të të dy qeverive.

(Kosova Sot Online)